Ali Ahmeti: Do t’i ndalim politikat që cenojnë të drejtat tona
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka njoftuar se në Vrapçisht është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Degës së BDI-së, ku janë konstituuar organet dhe strukturat e reja drejtuese të partisë.
Ahmeti tha se kuvendi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe me unitet të plotë, ndërsa uroi të zgjedhurit për përgjegjësitë e reja që kanë marrë.
“Sonte, në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe me unitet të plotë, u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së BDI-së në Vrapçisht, ku u konstituuan organet dhe strukturat drejtuese që do të bartin përgjegjësinë për organizimin dhe veprimin politik në periudhën e ardhshme”, deklaroi Ahmeti.
Ai uroi kryetarin e degës, Kryesinë e Degës, Këshillin Mbikëqyrës, Komitetin e Veteranëve dhe sekretarët e sekretariateve, duke shprehur bindjen se do të punojnë për forcimin e organizimit partiak në këtë komunë.
“Jam i bindur se me përkushtim, punë dhe afërsi me qytetarët do ta forcojnë edhe më tej organizimin tonë në Vrapçisht”, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Ahmeti vlerësoi pozitën e BDI-së në skenën politike shqiptare në vend.
“Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca më e madhe, më e organizuar dhe më e konsoliduar politike e shqiptarëve në vend. Fuqia jonë buron nga besimi i qytetarëve, nga uniteti ynë dhe nga qëndrueshmëria e kauzës që përfaqësojmë”, u shpreh lideri i integristëve.
Duke folur për sfidat politike, Ahmeti tha se nevojitet organizim dhe vendosmëri për të mbrojtur, siç tha ai, të arriturat e shqiptarëve.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për organizim, mençuri dhe vendosmëri. Të bashkuar, me argumente të forta, me vizion të qartë dhe me përkushtim ndaj interesit qytetar, do t’i përballojmë dhe do t’i ndalim politikat e gabuara që cenojnë të arriturat dhe të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi Ahmeti.
Në fund, ai uroi strukturat e reja të degës së BDI-së në Vrapçisht për sukses në mandatin e tyre të ri. Gazeta Flaka












