Ambasadori Denion Meidani: Dialogu, miqësia dhe bashkëpunimi janë më të forta se ndasitë artificiale
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka ndarë përshtypjet nga një aktivitet me të rinj nga të dy anët e kufirit, ku morën pjesë edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ministrja Ogerta Manastirliu dhe zëvendësministrja Vilma Premti.
Meidani bëri të ditur se fjalimin e tij e nisi me një mesazh mirëseardhjeje për ministrin Limani.
“Mirë se erdhe në Shqipëri! Këtu je gjithmonë i mirëseardhur!”
Ambasadori tha se e falënderoi Limanin dhe familjen e tij për kontributin e dhënë ndër vite.
“E falënderova atë, si edhe familjen e tij patriotike, për kontributin e rëndësishëm dhe të sinqertë që kanë dhënë ndër vite.”
Duke iu referuar klimës së bashkëpunimit mes të rinjve, Meidani theksoi se ata japin shembullin më të mirë për tejkalimin e ndasive.
“Pavarësisht zhurmës që krijojnë herë pas here individë të caktuar, të rinjtë vazhdojnë të japin shembullin më të mirë: dialogu, miqësia dhe bashkëpunimi janë gjithmonë më të forta se ndasitë artificiale.”
Ai nënvizoi se bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të forcohet.
“Ne do të vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej bashkëpunimin institucional dhe miqësinë tonë, përtej çdo zhurme dhe çdo përpjekjeje për të na ndarë.”
Në fund, ambasadori falënderoi Ogerta Manastirliun, Vilma Premtin, Sara Boden dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë për organizimin e kampit rinor, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët:
“Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika.” Gazeta Flakqa
















