Analizat e fundit: Uji i pijshëm në Gostivar është i sigurt për konsum
Uji nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit është bakteriologjikisht dhe fiziko-kimikisht i rregullt për konsum, tregojnë analizat e fundit të kryera nga Qendra për Shëndet Publik.
Mostrat janë marrë javën e kaluar në katër pika matëse, përfshirë edhe kaptazhin në Vrutok, ndërsa rezultatet e marra të premten konfirmojnë se uji i plotëson të gjitha kriteret ligjore për përdorim të sigurt. Analizat nuk kanë evidentuar ndotje bakteriologjike dhe as rritje të turbullirës së ujit.
Ditëve të fundit, te një pjesë e qytetarëve ishin shfaqur dilema për cilësinë e ujit, pasi NP “Komunalec” në Gostivar kishte rekomanduar, si masë parandaluese, që uji të mos përdorej për pije gjatë zhvillimit të punimeve ndërtimore në rrjetin e ujësjellësit. Nga ndërmarrja sqaruan se kjo ishte vetëm një masë preventive dhe nuk bazohej në analiza zyrtare të ujit.
Qendra për Shëndet Publik thekson se deri më tani nuk ka lëshuar asnjë ndalim zyrtar për përdorimin e ujit për pije.
“Sipas rezultateve të fundit të marra të premten, uji në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit është bakteriologjikisht dhe fiziko-kimikisht i rregullt. Deri më tani nuk kemi dhënë rekomandim për ndalimin e përdorimit të ujit për pije në Gostivar”, deklaroi dr. Berun Mustafa nga Qendra për Shëndet Publik.
Ndërkohë, të hënën janë marrë edhe mostra të reja të ujit, ndërsa rezultatet e analizave të reja pritet të publikohen në mesin e javës. Sipas Qendrës, kontrollet konfirmojnë gjithashtu se uji klorohet rregullisht sipas procedurave të parapara.
Megjithatë, banorët e Gostivarit vazhdojnë të përballen me një problem tjetër të kahershëm – mungesën e ujit gjatë verës. Në lagjet më të larta dhe në katet e sipërme të ndërtesave, presioni i ujit shpesh është i dobët, ndërsa në periudha të caktuara të ditës furnizimi ndërpritet plotësisht, sidomos gjatë temperaturave të larta verore. Gazeta Flaka
















