Arbër Ademi: A ka shtet ligjor në Maqedoninë e Veriut apo ligjet zbatohen sipas interesit të pushtetit?
Arbër Ademi nga BDI ka reaguar lidhur me heqjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe nga tabela shtetërore në një vendkalim kufitar, duke ngritur pyetjen nëse në Maqedoninë e Veriut ekziston shteti ligjor apo ligjet zbatohen në mënyrë selektive.
Ademi theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj special (lex specialis) dhe, sipas tij, ka përparësi ndaj ligjeve të tjera për çështjet që rregullon.
Ai iu referua nenit 16, paragrafi 2 të ligjit, duke theksuar se në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajone ku të paktën 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, emërtimet, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit duhet të vendosen edhe në atë gjuhë.
Sipas Ademit, po ashtu neni 23, paragrafi 5 përcakton qartë se, në rast të mospërputhjes mes këtij ligji dhe një ligji tjetër, institucionet shtetërore janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Deri para formimit të kësaj qeverie tabelat në vendkalimin kufitar ishin edhe në gjuhën shqipe, ndërsa sot nuk janë. Ligji nuk ka ndryshuar. Atëherë, a ka ndryshuar vetëm vullneti për ta zbatuar ligjin?”, pyeti ai.
Deputeti i BDI-së vlerësoi se heqja e një të drejte që, sipas tij, është zbatuar për vite me radhë pa ndryshuar baza ligjore, përbën shkelje të ligjit dhe diskriminim institucional.
Në fund të reagimit, Ademi kritikoi edhe përfaqësuesit institucionalë që, sipas tij, po arsyetojnë këtë situatë në vend që të kërkojnë zbatimin e ligjit, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos pranojnë, siç u shpreh ai, shkeljen e të drejtave të garantuara me ligj.
















