Arbër Ademi: Edhe Parlamenti Evropian kundër gënjeshtrave të VLEN-it për provimin e jurisprudencës në shqip
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar pas miratimit të Raportit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, duke theksuar se institucioni evropian ka mbështetur kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës.
Sipas Ademit, gjatë seancës së sotme, Parlamenti Evropian miratoi edhe amendamentin që i referohet përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke i bërë thirrje autoriteteve të vendit që ta zgjidhin këtë çështje sa më shpejt.
“Edhe Parlamenti Evropian kundër gënjeshtrave të VLEN-it. Gjatë seancës së sotme Parlamenti Evropian miratoi edhe amendamentin për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Ademi.
Ai thekson se raporti kërkon nga institucionet shtetërore të garantojnë zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të mos i paraqesin protestat studentore si të motivuara politikisht.
“I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, citohet në amendamentin e miratuar nga Parlamenti Evropian.
Kujtojmë se çështja e provimit shtetëror të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe protesta nga studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës për ta dhënë provimin në gjuhën amtare. Gazeta Flaka
















