Arbër Ademi: Me VMRO-në e Gruevskit sollëm ligje për shqiptarët, VLEN është “frankenstajn politik”
Sekretari i përgjithshëm i Arbër Ademi, në paraqitjen e tij në emisionin Click Plus, ka deklaruar se po të ishte Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri me VMRO-DPMNE, situata e shqiptarëve nuk do të ishte kjo që është sot, përcjell Gazeta Flaka
Ademi theksoi se BDI ka dëshmuar kapacitetin e saj politik edhe gjatë koalicionit me VMRO-në e udhëhequr nga Nikola Gruevski, kur kjo parti kishte 64 deputetë, duke përmendur si arritje sjelljen e Balancuesit, Ligjit për përdorimin e gjuhëve në vitin 2008 dhe 2011, Ligjit për flamurin, themelimin e Universiteti ‘Nënë Tereza’, si dhe interpretimin autentik të ligjit për amnisti.
“Populli e di kush jemi dhe na ka provuar”, tha Ademi, duke shtuar se qytetarët janë dëshmitarë të rolit të BDI-së në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Duke komentuar qeverisjen aktuale, ai e quajti koalicionin mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VLEN-it si një “frankenstajn politik”, duke pretenduar se në këtë koalicion ekzistojnë vetëm dy subjekte reale politike, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, janë struktura të inskenuara për t’u paraqitur si përfaqësuese të shqiptarëve.
Ademi akuzoi më tej VLEN-in se nuk ka realizuar asnjë premtim dhe se, sipas tij, po vepron si ekzekutues i agjendave të imponuara nga partnerët qeveritarë, duke u pozicionuar përballë BDI-së në vend që të mbrojë interesat shqiptare. Gazeta Flaka
















