Arbër Ademi: Shpifje në vend të argumenteve për të mbuluar ‘Safe City’ dhe boshtin VMRO–VREDI–Levica
Arbër Ademi nga BDI ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, duke i cilësuar ato si shpifje të qëllimshme dhe pjesë e një strategjie propagandistike për të mbuluar dështimin politik rreth projektit “Safe City”.
“Ditën kur BDI tha ‘JO’ për projektin ‘Safe City’ në formën e propozuar, u aktivizua refleksi i njohur i pushtetit: jo argumente, por shpifje; jo përgjigje, por trillime,” deklaron Ademi.
Ai shton se pretendimet për takime dhe oferta politike janë të fabrikuara.
“Dafina e VMRO-DPMNE-së doli publikisht duke fabrikuar ‘takime’ dhe ‘oferta’, sikur shteti të ishte teatër, e Kuvendi skenë për improvizime politike. Kur mungojnë faktet, shpiken dialogë; kur s’ka përgjigje, prodhohet tym,” thekson Ademi.
Deputeti i BDI-së mohon kategorikisht çdo mundësi për negociata apo pazare politike me VMRO-DPMNE-në.
“Ta sqarojmë pa ekuivok: Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka pasur asnjë takim me të dhe nuk ka pasur kurrë pazare për hyrje në Qeveri. Kaq. Ne nuk jemi VREDI dhe ajo e di mirë këtë,” nënvizon ai.
Sipas Ademit, e gjithë kjo zhurmë ka për qëllim mbulimin e realitetit politik që po konsolidohet në vend.
“Pse kjo zhurmë? Sepse po bëhet e dukshme loja: padroni mbron vazalin. Duhet një alibi për të mbuluar realitetin politik që po konsolidohet – boshti VMRO–VREDI–Levica dhe servilizmi i atyre që qëndrojnë në pushtet me çdo kusht, edhe kur nuk përfaqësojnë askënd përveç interesit të tyre personal,” deklaron Ademi.
Në fund, ai thekson se rritja e propagandës është shenjë e mungesës së legjitimitetit politik.
“Kur një koalicion nuk ka legjitimitet, i rritet propaganda. Kur mungon drejtësia, shtohet shpifja,” përfundon reagimi i deputetit të BDI-së. Gazeta Flaka
















