Arrestime për drogë, armëmbajtje pa leje, dhunë dhe vjedhje në disa qytete të vendit
Policia ka regjistruar një sërë rastesh në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Manastir, Prilep dhe qytete të tjera. Mes rasteve të raportuara ka arrestime për drogë, armëmbajtje pa leje, dhunë fizike, prerje të paligjshme të drunjve, gjueti pa leje dhe vjedhje.
Më 15 nëntor, në lokacione të ndryshme në Shkup, policia ka privuar nga liria tre persona, mes tyre një 17-vjeçar, si dhe një person nga rajoni i Kumanovës, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe një lëndë e bardhë në formë kokrrizash.
Raste me drogë dhe armë
SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal edhe ndaj një 61-vjeçari nga Shkupi, të dyshuar për armëmbajtje dhe tregti të paautorizuar me armë. Gjatë një bastisjeje në shtëpinë dhe ambientet që ai përdorte, policia ka sekuestruar një pistoletë „Cërvena Zastava“, dy karikatorë dhe fishekë.
Në Shkup, marihuanë është gjetur edhe gjatë kontrollit në dhomën e paraburgimit ku ishte vendosur një 27-vjeçar në Burgun e Shkupit.
Kallëzime penale për vepra që lidhen me narkotikët janë ngritur edhe ndaj një 43-vjeçari nga Koçani dhe dy të miturve nga fshati Grupçin. Në rastin e këtyre të fundit, njëri prej tyre ishte ndaluar duke drejtuar automjetin, ndërsa gjatë kontrollit ishte konstatuar prania e metabolitëve të tetrahidrokanabinolit dhe ishte sekuestruar marihuanë.
Gjithashtu, një i mitur nga Makedonska Kamenica dyshohet për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve. Policia ka sekuestruar marihuanë, një thërrmuese me mbetje marihuane dhe një peshore digjitale.
Dhuna dhe kërcënimet
Në Koçan, është ngritur kallëzim penal ndaj një 43-vjeçari, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Në zonën e Butelit në Shkup, një 42-vjeçar është privuar nga liria pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje në autobus, ka sulmuar fizikisht një 59-vjeçar.
Një tjetër rast është raportuar në zonën e Bit Pazarit, ku një person nga Shkupi dyshohet se ka sulmuar fizikisht fqinjin e tij dhe mbesën e mitur, duke përdorur edhe një send të fortë dhe duke u kanosur me sende të mprehta.
Ndërkaq, një 30-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar se në automjetin e tij, të parkuar në një garazh nëntokësor në Aerodrom, ka gjetur një letër me mesazh kërcënues. Ai ka raportuar se edhe gjatë muajit paraprak kishte marrë kërcënime përmes një rrjeti social, të lidhura me klubin e basketbollit ku luan.
Vjedhje, prerje të paligjshme dhe gjueti pa leje
Një rast vjedhjeje është raportuar në fshatin Vizbeg, ku persona të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë ar, para dhe çelësat e dy automjeteve. Më pas, me njërin prej çelësave të marrë, është vjedhur edhe një automjet „Dacia“, në pronësi të SHA MEPSO.
Në zonën e fshatit Slepçe, policia ka arrestuar një 50-vjeçar nga fshati Çërnilishtë, Komuna e Dollnenit, i cili është kapur duke prerë drunj në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa në afërsi të Manastirit „Shën Gjergji“, në fshatin Buçin të Krushevës, është arrestuar një person nga fshati Presill, pasi dyshohet se po gjuante kafshë të egra pa leje përkatëse.
Granata të Luftës së Parë Botërore dhe të shtëna me armë zjarri
Një tjetër rast është regjistruar në fshatin Novaci të Manastirit, ku një 72-vjeçar ka denoncuar gjetjen e dy granatave pranë lumit Cërna. Pirotekniku i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i ka larguar ato në mënyrë të sigurt. Është konstatuar se bëhej fjalë për një granatë artilerie të kalibrit 75 mm dhe një tjetër të kalibrit 105 mm, të dyja nga Lufta e Parë Botërore.
Në Prilep, një 38-vjeçar ka denoncuar se kishte dëgjuar një të shtënë me armë zjarri pranë shtëpisë së tij të pushimit, në rrugën drejt Pletvarit. Pas kësaj, kishte vërejtur se në kapakun e automjetit të tij „Opel Astra“ ishte ngulur një projektil nga arma e gjahut.
Dy fëmijë të mitur detyroheshin të punonin dhe të kërkonin lëmoshë
SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një 28-vjeçareje nga Kumanova, e dyshuar për braktisje dhe keqtrajtim të fëmijës. Sipas policisë, ajo dyshohet se i ka detyruar dy fëmijët e saj të mitur të kryejnë punë që nuk u përshtaten moshës dhe aftësive të tyre fizike, si dhe i ka nxitur të kërkojnë lëmoshë.
Policia njofton se për rastet e raportuara po ndërmerren masa dhe aktivitete të mëtejshme, ndërsa për disa prej tyre pas dokumentimit të plotë do të vijojnë kallëzimet përkatëse. Gazeta Flaka














