Arta Toçi: Reagime të neveritshme nga zyrtarë e funksionarë ndaj studentëve – kritika të ashpra për “karrieristët e vegjël”
Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe me ton të ashpër, Arta Toçi ka kritikuar një numër zyrtarësh institucionalë, drejtues lokalë dhe përfaqësues politikë, duke i akuzuar ata për qëndrime kundër studentëve që po kërkojnë të drejtat e tyre.
Toçi i ka quajtur “të neveritshme” reagimet e ditëve të fundit nga disa funksionarë publikë, të cilët sipas saj po pozicionohen kundër studentëve në vend që të mbështesin kërkesat e tyre.
“Të neveritshme reagimet e sotme të disa drejtorëve të institucioneve, të disa karrieristëve të vegjël kokëbosh, të disa kryetarëve të komunave, të disa partive minore që tentojnë të jenë pjesë e qeverisë e të disa analfabetëve në funksione!” – ka deklaruar ajo.
Në vazhdim të reagimit, Toçi ka theksuar se është e papranueshme që të sulmohen studentët, të cilët sipas saj nuk kanë mjete të tjera përveç protestës dhe rrugës për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
“Turp bre, po vërtetë marre bre me dal’ kundër studentit i cili të vetmen armë e ka rrugën! Çka të keqe ju bëjnë?” – u shpreh ajo.
Duke e kthyer kritikën edhe ndaj vetë funksionarëve, Toçi ngriti pyetjen për qëndrimet e tyre ndaj gjuhës shqipe, duke nënvizuar një kontradiktë në diskursin publik.
“Ju që shkruani sot, e këto ditë, a jeni kundër gjuhës shqipe? Po ajo është gjuha në të cilën shkruani kundër studentëve bre prandaj përkrahni ata!” – tha ajo.
Reagimi i saj vjen në një kohë tensionesh politike dhe debatesh publike rreth kërkesave të studentëve dhe përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e vendit.
















