Atentati ndaj mjekut Shahini dhe pyetja që shteti s’mund ta shmangë

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Tetor, 2025 09:56

Atentati ndaj mjekut Shahini dhe pyetja që shteti s’mund ta shmangë

Gazeta Flaka

Nga të dhënat fillestare të Prokurorisë Themelore, atentati ndaj kandidatit për kryetar të Këshillit Komunal të Likovës, Zekirija Shahini, nuk kishte motive politike. Por ky konstatim paraprak, i mbështetur vetëm në vlerësime të hershme, nuk mund të mbyllë diskutimin publik. Vetë Prokuroria shton se rrethanat po verifikohen, gjurmët po mblidhen dhe provat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Me fjalë të tjera – ende nuk dihet asgjë përfundimtare.

Ky “ende nuk dihet” është thelbësor. Sepse atentati nuk ndodhi në një ditë të zakonshme, as në një periudhë të qetë, por në vrullin e fushatës zgjedhore, vetëm dhjetë ditë para ditës së votimit. Në një klimë politike të ndezur, ku çdo incident ndikon perceptimin publik, implikimi politik nuk mund të përjashtohet me një deklaratë teknike. Në raste të tilla, kujdesi institucional duhet të jetë maksimal, jo për të ndërtuar narrativë, por për të mos e lënë hapësirën bosh – sepse boshllëku informativ është terreni më pjellor për dyshime dhe manipulime.

Ngjarja ka një dimension më të rëndë se çdo debat politik: sigurinë publike. Një mjek, në mes të qytetit dhe në mes të ditës, qëllohet me armë zjarri. Kjo nuk është vetëm çështje penale – është provë se shteti ka probleme serioze me garantimin e rendit dhe sigurisë. Sepse nëse një profesionist, një qytetar që përfaqëson shëndetin dhe shërbimin publik, mund të jetë cak i armës, çfarë garancie ka qytetari i zakonshëm? Kur shteti s’është në gjendje të mbrojë një mjek, si mund të pretendojë se mbron komunitetin?

Qëllimi ka qenë i qartë – vrasja. Dhe nga ky fakt duhet të nisë çdo hetim, çdo qasje dhe çdo komunikim institucional. Çdo tentim për ta relativizuar motivin, për ta zhvendosur vëmendjen apo për ta trajtuar si “incident të izoluar”, është dëm për drejtësinë dhe për vetë besimin qytetar në shtet.

Derisa dorasi nuk gjendet, derisa zbardhja nuk ndodh, gjithçka që thuhet në publik është e justifikueshme. Sepse kur shteti dështon në shpjegimin e së vërtetës, qytetari ka të drejtë të besojë në versionin që i duket më real. Dhe kjo është pasojë e mungesës së transparencës, jo e mungesës së logjikës tek publiku.

Atentati ndaj Zekirija Shahinit nuk është vetëm një krim kundër një individi. Është një paralajmërim i hidhur se dhuna, frika dhe mungesa e rendit mund të hyjnë sërish në fushatën tonë politike – aty ku vendimet duhet të merren me votë, jo me armë. Dhe derisa kjo të ndryshojë, pyetja për shtetin mbetet e njëjtë: nëse nuk mund të mbrojë një mjek, kë mund të mbrojë?

66
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Tetor, 2025 09:56
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
66
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?