Bajram Rexhepi: Protesta në Tetovë do të jetë paqësore, kritika ndaj paralajmërimeve për “skenarë incidentesh”
Bajram Rexhepi, kryetar i degës së BDI në Tetovë, ka deklaruar se marshi protestues i paralajmëruar sot do të jetë një shprehje e qetë dhe demokratike e pakënaqësisë qytetare.
Ai reagoi ndaj paralajmërimeve të Ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili kishte përmendur mundësi për incidente gjatë protestës, duke i cilësuar ato si deklarata pa prova dhe jashtë komunikimit institucional.
“Nëse një ministër vërtet disponon informacione të tilla, ai ka detyrim ligjor dhe moral t’i paraqesë ato pranë organeve kompetente,” tha Rexhepi, duke shtuar se siguria publike nuk mbrohet me deklarata në rrjete sociale, por me veprim institucional.
Ai theksoi se protesta është e paralajmëruar si marsh paqësor dhe pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga të gjitha grupmoshat, përfshirë të rinj dhe familjarë.
Sipas Rexhepit, deklaratat për “skenarë të mundshëm” mund të krijojnë frikë dhe pasiguri te qytetarët, duke ngritur pyetjen nëse qëllimi është informimi i opinionit apo dekurajimi i pjesëmarrjes në protestë.
Në fund, ai theksoi se çdo tentim për prishje të rendit publik do të adresohet tek organet e rendit, ndërsa protesta do të zhvillohet me qetësi dhe dinjitet. Gazeta Flaka












