BDI akuzon VLEN-in për heshtje ndaj çështjes së emrave të rrugëve në Tetovë, kërkon sqarime nga Kasami
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj debatit të fundit për emërtimet e rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, duke kritikuar ashpër koalicionin VLEN dhe duke kërkuar transparencë nga institucionet lokale dhe qendrore.
Sipas BDI-së, rikthimi i emërtimeve të vjetra përbën një hap prapa për identitetin dhe historinë e qytetit, ndërsa arsyetimet e deritanishme i cilëson si të pamjaftueshme. Partia opozitare vlerëson se Tetova duhet të ruajë simbolikën dhe figurat që pasqyrojnë realitetin dhe historinë e saj.
Në reagimin publik, BDI i drejton disa pyetje kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke kërkuar të dijë nëse komuna ka qenë e përfshirë në procedurat që lidhen me lëndën para Gjykatës Kushtetuese, si dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur gjatë procesit. Gjithashtu, partia kërkon sqarime edhe për rolin e përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri dhe pozicionin që institucionet shtetërore kanë mbajtur në këtë rast.
BDI thekson se qytetarët meritojnë informim të plotë dhe transparencë mbi të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me çështje që prekin identitetin dhe simbolikën e Tetovës.
Deri më tani, Komuna e Tetovës dhe përfaqësuesit e VLEN-it nuk kanë dalë me një qëndrim publik lidhur me akuzat dhe pyetjet e ngritura nga BDI. Gazeta Flaka












