BDI: Dy vite mashtrime, zero rezultate – VLEN nuk realizoi premtimet kryesore ndaj shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar koalicionin qeveritar VMRO-VLEN-ZNAM për mosrealizim të premtimeve të dhëna para zgjedhjeve, duke vlerësuar se pas dy vitesh në pushtet bilanci i tyre është “premtime historike, rezultate pothuajse aspak”.
Në një kumtesë për media, BDI thotë se VLEN kishte premtuar ndryshime kushtetuese që do ta definonin shtetin si të përbashkët dhe të barabartë për shqiptarët dhe maqedonasit, por sipas tyre, “dy vite më vonë nuk ka as iniciativë, as debat dhe as vullnet politik për ta hapur këtë çështje”.
“VLEN premtoi avancimin e statusit të gjuhës shqipe në nivel kushtetues. Në realitet, shqiptarët po përballen me regres. Në vend të forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e gjuhës, Inspektorati i Gjuhëve u degradua dhe u shndërrua në një sektor brenda Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare kritikon edhe ndryshimet në sistemin e përfaqësimit etnik, duke theksuar se gjatë qeverisjes së VLEN-it u shfuqizua Balancuesi, ndërsa ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, sipas tyre, ka ngritur shqetësime serioze për dobësimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.
BDI rikujton edhe një sërë premtimesh të tjera, si Banka Shqiptare, aksione deri në 10 mijë euro për çdo qytetar, vota e garantuar për diasporën, Ministria e Diasporës, Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve, Muzeu i Historisë Shqiptare, spitale rajonale, zona ekonomike shqiptare dhe projekte infrastrukturore strategjike.
“Sot, asnjëra prej këtyre nuk ekziston”, thuhet në kumtesë.
Sipas BDI-së, nuk janë realizuar as projektet e paralajmëruara infrastrukturore, përfshirë hekurudhën Shkup–Prishtinë, rrugën Tetovë–Prizren dhe Portin e Thatë në Strugë.
“Më e rëndësishmja, VLEN premtoi dinjitet dhe avancim kombëtar për shqiptarët. Në vend të kësaj, shqiptarët panë shfuqizimin e emërtimeve shqiptare të rrugëve në Tetovë, dobësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe heshtje përballë goditjeve që po i bëhen të drejtave kolektive të shqiptarëve”, thekson BDI.
Në fund, partia opozitare vlerëson se “mashtrimi elektoral nuk mund të zgjasë pafundësisht” dhe se qytetarët shqiptarë po e shohin dallimin mes premtimeve të vitit 2024 dhe realitetit të vitit 2026. Gazeta Flaka












