BDI Gostivar: Hetim profesional për ndotjen e ujit, jo dezinformata dhe akuza politike
Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Gostivar ka reaguar ndaj pretendimeve që e lidhin subjektin politik me rastin e ndotjes së ujit të pijshëm, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse.
Në reagimin e saj, BDI thotë se pretendimet për përfshirjen e partisë në çfarëdo “operacioni” lidhur me ndotjen e ujit janë manipulim i opinionit publik.
“Pretendimet e publikuara se BDI është e përfshirë në çfarëdo ‘operacioni’ lidhur me ndotjen e ujit të pijshëm janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe paraqesin një manipulim të opinionit publik.”
Nga BDI Gostivar theksojnë se nuk kanë asnjë lidhje me këtë rast dhe shprehin shqetësim për situatën e krijuar, duke kërkuar hetim të plotë nga institucionet.
“BDI Dega Gostivar nuk ka asnjë lidhje me këtë rast. Përkundrazi, shprehim shqetësimin tonë për situatën e krijuar dhe inkurajojmë organet kompetente që të zhvillojnë një hetim të plotë, profesional dhe të paanshëm.”
Partia u ka bërë thirrje autorëve të pretendimeve që të ndalojnë përhapjen e dezinformatave ose, nëse disponojnë prova, t’i dorëzojnë ato te institucionet kompetente.
“Nëse disponojnë prova për akuzat e tyre, t’ua dorëzojnë institucioneve kompetente. Në të kundërtën, mbajnë përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore për shpifjet dhe dezinformimin e opinionit publik.”
Në fund të reagimit, BDI Gostivar paralajmëron se autorët e këtyre akuzave do të përballen me padi për shpifje.
“Të njëjtit do të përballen me padi për shpifje kaq të rëndë.” Gazeta Flaka
















