BDI-ja e Gostivarit fton të miratohet deklarata për mërgimtarët
Ne, si degë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Gostivar, kemi thirrur këtë konferencë për të kërkuar publikisht nga të gjithë këshilltarët e Këshillit të Komunës së Gostivarit – pa dallim etnie, përkatësie politike apo fetare – që të vendosin në rend të ditës iniciativën e ngritur nga grupi i këshilltarëve të BDI-së, e cila kundërshton vendimin anti-ligjor dhe anti-kushtetues të kësaj qeverie, tha Valdet Xhaferi kryetar dege.
Ky vendim, tha ai, synon të mos i llogarisë mërgimtarët tanë si banorë rezidentë të këtij vendi, dhe si rezultat dëmtohet rëndë qyteti i Gostivarit, pasi mbi 33 mijë mërgimtarë tentohen të fshihen si banorë të qytetit tonë.
“Andaj, ftojmë të gjithë qytetarët dhe në veçanti mërgimtarët që nesër, në orën 10:00, të jenë prezentë në seancën e këshillit të komunës, e cila mbahet në hapësirat e objektit të “ELEM”-it, përballë Komunës së Gostivarit, ose siç njihet ndryshe “Hec Mavrovo”. Kjo iniciativë është mbështetur edhe nga Unioni i Shoqatave të Mërgimtarëve, por mbi të gjitha buron nga shqetësimet e shumta që na janë adresuar nga çdo mërgimtar dhe qytetar i Gostivarit”, tha Xhaferi.
Kërkojmë nga të gjithë këshilltarët e Komunës së Gostivarit, tha ai, që të reflektojnë dhe të kuptojnë se ata mbajnë besimin dhe votën e çdo qytetari të Gostivarit.
“Ky vendim, i cili është anti-ligjor dhe anti-kushtetues për mosllogaritjen e mërgimtarëve si banorë rezidentë, nuk ka pasoja vetëm politike, por edhe ekonomiko-financiare. Këto pasoja do të prekin çdo familje të Gostivarit, pavarësisht përkatësisë politike apo etnike. Kjo deklaratë është jetike për të ardhmen e qytetit tonë. Prandaj, apelojmë për bashkëpunim dhe mbështetje për të mirën e përbashkët, përfundoi Xhaferi.
















