BDI: Komuna e Tetovës dhe Qeveria lanë pa mbrojtje emërtimin shqip të rrugëve dhe shesheve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Komunën e Tetovës dhe Qeverinë se kanë dështuar të mbrojnë vendimin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Tetovë, pas publikimit të arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas BDI-së, nga arsyetimi i Gjykatës rezulton se Komunës së Tetovës i janë dërguar katër kërkesa për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa Qeverisë tri kërkesa për dorëzimin e pëlqimit dhe dokumentacionit përkatës.
“Gjykata Kushtetuese katër herë i është drejtuar Komunës së Tetovës për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për mbrojtjen e vendimit, ndërsa tri herë i është drejtuar Qeverisë për të dorëzuar pëlqimin dhe dokumentacionin përkatës. As Komuna e Tetovës dhe as Qeveria nuk e kanë bërë këtë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se në shtatë raste institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe VMRO-DPMNE nuk kanë ndërmarrë veprimet minimale për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
“Kjo është papërgjegjësi politike. Është e papranueshme që Komuna e Tetovës, e cila për muaj të tërë e dinte se po zhvillohej procedura në Gjykatën Kushtetuese, të mos dorëzojë dokumentacionin e kërkuar as pas katër kërkesave zyrtare”, thekson BDI.
Në reagim kritikohet edhe qëndrimi i Qeverisë.
“Po aq e papranueshme është heshtja e Qeverisë, e cila edhe pas tri kërkesave të Gjykatës nuk ka dorëzuar dokumentacionin përkatës”, thuhet në kumtesë.
BDI ngre disa pyetje publike lidhur me rastin, duke kërkuar sqarime për përgjegjësit e mosveprimit institucional.
“Kush vendosi që Komuna të mos e mbrojë vendimin? Kush vendosi që Qeveria të heshtë? A ishte kjo paaftësi, neglizhencë apo vendim i vetëdijshëm politik?”, pyet BDI.
Sipas partisë, mosveprimi i institucioneve ka sjellë pasoja që sot i ndjejnë qytetarët e Tetovës.
“Në vend që të mbrojnë një vendim që për dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban të Tetovës, institucionet zgjodhën të mos veprojnë. Pasojat e kësaj mosveprimi sot i paguajnë qytetarët e Tetovës”, deklaron BDI.
Partia përfundon se përgjegjësia politike për këtë zhvillim është e pashmangshme dhe kërkon llogaridhënie nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria për mosmbrojtjen e vendimit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve shqiptare në Tetovë. Gazeta Flaka












