BDI: Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk ka garanci juridike
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj Propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar atë si një tekst pa garanci juridike dhe pa mekanizma efektivë për zbatim, i cili sipas partisë opozitare rrezikon të dëmtojë parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se ligji i promovuar nga VLEN dhe i hartuar nga profesoresha Tatjana Karakamisheva nuk mund të konsiderohet ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi, sipas tyre, ai nuk përmban instrumente konkrete që do të garantonin zbatimin e tij në praktikë.
Sipas BDI-së, ligji nuk parashikon kuota etnike, nuk krijon mekanizma institucionalë për mbikëqyrjen e zbatimit dhe nuk përmban sanksione ndaj institucioneve apo drejtuesve që nuk e respektojnë atë.
“Deri më tani, meritokracia zbatohej brenda kuadrit të përfaqësimit të garantuar për secilin komunitet. Tani ky parim përmbyset në dëm të balancës etnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se meritokracia është vendosur si kriter parësor, ndërsa përfaqësimi etnik është reduktuar në një element dytësor, gjë që sipas saj mund të ndikojë negativisht në përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike.
BDI kundërshton gjithashtu pretendimet e përfaqësuesve të VLEN-it se drejtuesit e institucioneve mund të shkarkohen në rast të moszbatimit të ligjit. Sipas partisë, një masë e tillë duhet të jetë e përcaktuar qartë në vetë tekstin ligjor dhe nuk mund të mbështetet në deklarata politike.
“Në një shtet të së drejtës, çdo masë disiplinore, përfshirë shkarkimin, duhet të jetë e parashikuar shprehimisht në ligj. Nuk mund të ketë sanksione të shpallura përmes konferencave për shtyp”, theksojnë nga BDI.
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk ndryshon vetëm mekanizmin e zbatimit, por përmbys tërësisht logjikën mbi të cilën është ndërtuar përfaqësimi i drejtë që nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
Sipas Osmanit, deri më tani përfaqësimi garantohej në fillim të procesit të punësimit, ndërsa meritokracia vendoste brenda kuadrit të vendeve të garantuara për secilin komunitet. “Me këtë ligj ndodh e kundërta. Fillimisht drejtuesit e institucioneve do të zgjedhin kë të duan ata nën arsyetimin e meritokracisë, ndërsa vetëm më pas një komision shtetëror do të vlerësojë nëse është respektuar përfaqësimi i drejtë”, theksoi Osmani.
Ai argumenton se përfaqësimi i drejtë nuk do të jetë më garanci para punësimit, por një vlerësim administrativ pas punësimit, duke paralajmëruar se miratimi i ligjit do të përbënte, sipas tij, “një nga ditët më të errëta për marrëdhëniet ndëretnike dhe për frymën e Marrëveshjes së Ohrit”.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e masave ndëshkuese të paralajmëruara nga përfaqësuesit e koalicionit qeveritar.
“Sipas VLEN-it, nëse nuk respektohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, si masë ndëshkuese parashihet shkarkimi i udhëheqësit të institucionit, megjithëse kjo nuk shkruan askund”, deklaroi Ademi.
Ai shtroi edhe dilema lidhur me zbatimin e mundshëm të një mase të tillë ndaj funksionarëve të zgjedhur.
“Këtu shtrohet një pyetje legjitime: nëse ky ligj nuk respektohet nga Presidenti i shtetit ose nga kryetarët e komunave, si do të zbatohet masa e shkarkimit ndaj tyre? Cili është mekanizmi ligjor për mbajtjen e tyre përgjegjës? A ka VLEN përgjigje konkrete për këtë çështje?”, pyeti Ademi.
Ndërkohë, në emisionin “Click Plus” në TV21, ish-ministri dhe funksionari i BDI-së, Jeton Shaqiri, deklaroi se ligji nuk përmban elemente sanksionuese dhe se opozita nuk e konsideron atë si zgjidhje të mirë për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
“Nga titulli është Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por nëse e shohim në përmbajtje, përfaqësimi kalon si element i dytë adekuat, ndërsa vendoset meritokracia”, tha Shaqiri.
BDI vlerëson se në vend që të forcojë garancitë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si një nga parimet themelore që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, propozim-ligji i dobëson ato dhe e zhvendos mbrojtjen e këtij parimi nga norma juridike detyruese në interpretim administrativ.
Partia rithekson se mbetet e përkushtuar ndaj një sistemi që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat përmes dispozitave të qarta ligjore, mekanizmave të zbatueshëm dhe përgjegjësisë institucionale për çdo shkelje të mundshme. Gazeta Flaka
















