BDI: Mimoza Musa – simboli i hipokrizisë së VLEN-it: “Babai i pari, barazia gjinore zero”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në pushtet, duke e akuzuar nënkryetaren e VLEN-it, Mimoza Musa, për hipokrizi politike dhe mospërputhje mes premtimeve të saj publike dhe veprimeve pas ardhjes së koalicionit në pushtet.
Në një kumtesë të publikuar për opinionin, BDI thekson se Musa, gjatë fushatës zgjedhore, kishte folur për meritokraci, transparencë dhe barazi gjinore, ndërsa sot, sipas tyre, është përfshirë në vendime që bien ndesh me këto parime.
“Kur VLEN kërkonte vota, Mimoza Musa fliste për meritokraci, transparencë dhe barazi gjinore. Sot, pasi morën pushtetin, qytetarët shohin se gjithçka ishte një mashtrim i madh elektoral”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia akuzon Musën se ka ndikuar në emërimin e babait të saj, Arif Musa, tashmë pensionist, në Bordin e Bankës Zhvillimore.
“Kjo është ‘meritokracia’ e VLEN-it: babai – i pari!”, thuhet në kumtesë.
BDI kritikon gjithashtu heshtjen e Musës lidhur me përfaqësimin e grave në Qeveri, duke theksuar se gjatë rikonstruimit të kabinetit qeveritar, VLEN-i, i cili kontrollon gjashtë ministri, nuk ka pasur asnjë grua në postin e ministres.
“Mimoza Musa, si nënkryetare e VLEN-it, nuk tha asnjë fjalë. Vetëm heshti sepse ishte e angazhuar për ta vendosur babain – tashmë pensionist – në bord. As nuk i mbrojti gratë. As nuk i mbrojti parimet që i propagandonte. Zgjodhi të mbrojë kolltukun. Dhe babain!”, akuzon BDI.
Në reagimin e saj, BDI i referohet edhe programit zgjedhor të VLEN-it, duke përmendur premtimet për:
- kuotë prej 40 për qind të grave në të gjitha pozicionet e emëruara;
- favorizimin e gjinisë më pak të përfaqësuar në konkurset me pikë të barabarta;
- punësim mbi bazën e meritës dhe jo të librezës partiake;
- transparencë të plotë në punësime dhe shqyrtim publik të çdo ankese.
Sipas BDI-së, asnjë prej këtyre premtimeve nuk është realizuar.
“Në vend të kuotës 40 për qind për gratë, sollën zero ministre. Në vend të meritokracisë, emëruan familjarët, kurse Mimoza Musa emëroi babain – pensionist!”, thuhet në kumtesë.
BDI përfundon reagimin duke deklaruar se Mimoza Musa, sipas tyre, nuk ka më kredibilitet moral të flasë për meritokraci, barazi gjinore apo transparencë.
“Faktet flasin më fort se propaganda: nepotizmi për babain-pensionist në bord, heshtja për gratë dhe mashtrimi për qytetarët”, përfundon reagimi i BDI-së. Gazeta Flaka
















