BDI: Në Ministrinë e Mbrojtjes, 10 nga 10 drejtorë janë maqedonas, asnjë shqiptar në pozita drejtuese

BDI ka reaguar duke ngritur shqetësimin për, siç thotë, mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas të dhënave që partia i cilëson si zyrtare, të dhjetë drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes janë maqedonas, ndërsa asnjë shqiptar nuk ushtron funksion drejtues në nivel drejtorie.
BDI vlerëson se kjo situatë përbën shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se sektori i sigurisë dhe mbrojtjes duhet të ndërtohet mbi besimin e ndërsjellë, balancën dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.
“Nga nivelet ku merren vendimet strategjike janë përjashtuar shqiptarët, gjë që cenon besimin, krijon ndjenjë margjinalizimi dhe dëmton karakterin multietnik të institucioneve të sigurisë”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kritikon edhe koalicionin VLEN, duke theksuar se, sipas saj, për më shumë se dy vjet në pushtet nuk ka arritur të sigurojë as përfaqësim minimal të shqiptarëve në institucionet kyçe të sigurisë.
Në fund të reagimit, BDI thekson se përfaqësimi i drejtë në institucionet e sigurisë nuk është vetëm çështje statistikash, por garanci për besimin, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të shtetit. Gazeta Flaka
















