BDI ngre alarmin: “4 me 1” në favor të Korridorit 10D, kërkon transparencë për zbatimin e projektit të Korridoreve 8 dhe 10D
BDI ka reaguar lidhur me ecurinë e punimeve në projektin e Korridoreve 8 dhe 10D, duke ngritur dyshime se dinamika e punimeve është orientuar në favor të segmentit Prilep–Manastir, në dëm të Korridorit 8.
Sipas partisë, informacionet që disponon tregojnë se në terren po punohet me një raport pothuajse 4 me 1 në favor të Korridorit 10D, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe ritmi i realizimit janë zhvendosur nga Korridori 8.
BDI thekson se të dy segmentet janë pjesë e të njëjtit projekt infrastrukturor të realizuar me konsorciumin Bechtel-Enka, duke shtuar se Qeveria, sipas saj, ka ndryshuar në praktikë prioritetet e zbatimit.
Partia pretendon se arsyeja e këtij orientimi është synimi që segmenti i Korridorit 10D të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme, me qëllim që të përdoret si projekt elektoral.
“Nëse kjo konfirmohet, kemi të bëjmë me një skandal të rëndë, ku burimet financiare, punëtorët dhe mekanizimi i një projekti shtetëror po orientohen sipas kalendarit zgjedhor të partive në pushtet”, thuhet në reagim.
BDI thekson gjithashtu rëndësinë strategjike të Korridorit 8, duke rikujtuar se ai është pjesë e korridorit lindje–perëndim që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet një korridor me rëndësi për NATO-n.
Në reagim shtrohet pyetja nëse bëhet fjalë vetëm për një keqpërdorim elektoral të projektit apo për një ngadalësim të qëllimshëm të Korridorit 8, ndërsa kërkohet transparencë e plotë nga institucionet.
BDI kërkon që Qeveria të publikojë të dhëna të detajuara mbi numrin e punëtorëve, mekanizimin dhe mjetet financiare të angazhuara aktualisht në Korridorin 10D dhe në Korridorin 8, si dhe të sqarojë se kush ka marrë vendimin për raportin e angazhimit dhe mbi çfarë bazash është marrë ky vendim. Gazeta Flaka
















