BDI reagon pas vendimit të Kushtetueses për rrugët në Tetovë: “Fushatë për çmontimin e arritjeve shqiptare”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke e cilësuar atë si pjesë të një fushate më të gjerë kundër arritjeve politike të shqiptarëve në vend.
Sipas BDI-së, vendimi i sotëm tregon një trend shqetësues në të cilin, siç thonë ata, institucionet shtetërore po përdoren për të ndryshuar realitetin e krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se fushata për çmontimin e arritjeve politike të shqiptarëve po hyn në një fazë të re”, thuhet në reagim.
Partia thekson se rikthimi i emrave të vjetër në hapësirat publike të Tetovës është sinjal i një qasjeje që cenon barazinë dhe përfaqësimin e shqiptarëve.
“Rikthimi i emrit ‘Marshal Tito’ në sheshin qendror të Tetovës është vetëm shenja më e fundit e një realiteti që po bëhet çdo ditë më i dukshëm: institucionet e shtetit po përdoren për të fshirë gjurmët e barazisë së fituar me dekada përpjekje politike”, deklaron BDI.
Në reagim, BDI thekson se përgjegjësia për situatën aktuale nuk i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, por edhe faktorëve politikë që, sipas tyre, nuk po e mbrojnë mjaftueshëm përfaqësimin shqiptar në institucionet shtetërore.
“Kur përfaqësimi shqiptar reduktohet në dekor qeveritar, vendimet fillojnë t’i marrin të tjerët. Kur mungon guximi për të mbrojtur interesat kombëtare, humbjet bëhen të pashmangshme. Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se përfaqësimi, pasojat i paguajnë qytetarët”, thuhet më tej.
BDI akuzon gjithashtu se heshtja politike dhe mungesa e reagimit institucional po e thellojnë këtë situatë.
“Përgjegjësia nuk ndalet te Gjykata Kushtetuese. Përgjegjësia është edhe e atyre që legjitimojnë këtë realitet çdo ditë me heshtjen, servilizmin dhe paaftësinë e tyre politike”, thekson partia.
Në fund të reagimit, BDI i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e normalizojnë, siç thonë ata, këtë kurs politik.
“BDI i bën thirrje çdo shqiptari të refuzojë normalizimin e këtij kursi politik. Asimilimi politik nuk fillon me një vendim të vetëm. Ai fillon kur një popull mësohet t’i pranojë humbjet si diçka të zakonshme. BDI nuk do ta pranojë këtë”, përfundon reagimi.
Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme politike në vend, pasi prek drejtpërdrejt identitetin historik dhe kulturor të komuniteteve. Vendimet institucionale mbi to shpesh shndërrohen në përplasje politike dhe etnike, duke reflektuar mungesën e konsensusit të qëndrueshëm për mënyrën se si duhet trajtuar memoria publike dhe simbolika urbane në një shoqëri multietnike si Maqedonia e Veriut. Gazeta Flaka
















