BDI: Si përfundoi Dalekovod me kontratë 19.3 milionë eurosh pas aktivizimit të garancisë bankare?
BDI ka akuzuar drejtuesit e MEPSO-s për, siç e quan, një “absurd” në procedurat e dhënies së kontratave, duke pretenduar se kompania kroate Dalekovod, ndaj së cilës ishte aktivizuar garancia bankare për projektin e linjës së transmetimit Shkup–Veles, më pas ka fituar një kontratë prej 19.3 milionë eurosh për ndërtimin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë.
“Nuk është rastësi, kjo është absurd”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkon që MEPSO dhe drejtori Burim Latifi të sqarojnë publikisht arsyet e aktivizimit të garancisë bankare ndaj kësaj kompanie, ndërkohë që asaj i është besuar një projekt strategjik me vlerë shumë më të madhe.
Sipas partisë, ekziston një shqetësim se kompania mund të mos jetë në gjendje ta realizojë në kohë dhe pa probleme projektin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë.
BDI ngre edhe dyshime për mënyrën e përzgjedhjes së kontraktorit, duke pyetur “çfarë mesazhi u dërgohet qytetarëve dhe investitorëve nëse operatori shtetëror ndëshkon një kontraktor në një projekt, ndërsa të njëjtin e shpërblen me një kontratë të re”.
Në reagim thuhet se kontrata e re është nënshkruar me një konsorcium ku, sipas BDI-së, marrin pjesë edhe dy kompani për të cilat “ekzistojnë indicie serioze për lidhje me struktura të afërta me Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin”. Partia rikujton gjithashtu se MEPSO kishte ndërprerë më herët kontratën me kompaninë Energoinvest, e cila më pas ngriti padi në gjykata ndërkombëtare, duke paralajmëruar se shteti mund të përballet me miliona euro dëmshpërblim.
BDI i bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Energjetikës që të nisin një revizion të pavarur të vendimeve të MEPSO-s, të verifikojnë procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit dhe të publikojnë të gjitha informacionet relevante mbi lidhjet financiare dhe afariste. Gazeta Flaka
















