BDI-Tetovë kërkon publikimin e analizave të ujit: “Frika për shëndetin nuk mund të përdoret si presion për faturim”
NPK “Sharri” njoftoi se uji në Poroj, Xhepçisht, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël nuk rekomandohet për pije. BDI Tetovë kërkon publikimin e menjëhershëm të analizave të ISHP-së dhe paralajmëron hapa ligjorë nëse alarmi rezulton i pabazuar.
TETOVË – Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë ka reaguar pas njoftimit të NPK “Sharri”, sipas të cilit uji në fshatrat Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël nuk rekomandohet për pije, pasi sistemi nuk klorifikohet dhe nuk plotëson kushtet e nevojshme për përdorim të sigurt si ujë i pijshëm.
Nga NPK “Sharri” kanë sqaruar se paralajmërimi bazohet në analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërsa kanë theksuar se këto vendbanime nuk furnizohen nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës, i cili menaxhohet nga kjo ndërmarrje.
“NPK ‘Sharri’ nuk është kompetente për furnizimin me ujë të këtyre fshatrave, pasi ato nuk furnizohen nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Sipas “Sharrit”, furnizimi me ujë në këto vendbanime është në kompetencë të strukturave përkatëse lokale. Ndërmarrja njëkohësisht ka deklaruar se uji nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës, të cilin e menaxhon ajo, i plotëson standardet e përcaktuara dhe është i sigurt për pije.
Por, BDI Tetovë kërkon që analizat mbi të cilat është bazuar paralajmërimi të bëhen publike.
“Kërkojmë publikimin e menjëhershëm të analizave të plota të ISHP-së, veçmas për secilin vendbanim. Qytetarët duhet të dinë çfarë është konstatuar dhe cilët parametra kanë rezultuar jashtë standardeve”, thuhet në reagimin e Degës së BDI-së në Tetovë.
Nga BDI-ja thonë se NPK “Sharri” ka alarmuar banorët e katër vendbanimeve, por pa publikuar raportin zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik që, sipas tyre, do ta dëshmonte këtë pretendim.
Sipas kësaj partie, në raste të mëparshme raportet e analizave janë publikuar me të dhëna të detajuara, përfshirë datën dhe vendin e marrjes së mostrave, parametrat mikrobiologjikë dhe praninë eventuale të baktereve, parazitëve apo mikroorganizmave të tjerë.
“Një çështje kaq serioze, e cila lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, nuk mund të trajtohet vetëm nëpërmjet një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, pa u shoqëruar me dokumentacionin përkatës të institucionit kompetent”, deklaron BDI Tetovë.
Partia opozitare ngre edhe dyshime se paralajmërimi për cilësinë e ujit mund të lidhet me çështjen e përfshirjes së këtyre vendbanimeve në sistemin e faturimit të NPK “Sharri”.
“Nëse raportet nuk publikohen, lind dyshimi i arsyeshëm se frika për shëndetin po përdoret si presion për t’i futur këto vendbanime në sistemin e faturimit të NPK ‘Sharri’, megjithëse ujësjellësit e këtyre vendbanimeve janë financuar dhe po mirëmbahen nga vetë banorët”, thuhet në reagim.
BDI-ja pretendon se ujësjellësit në Poroj, Xhepçisht, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël janë financuar dhe mirëmbahen nga banorët, ndërsa kërkon që institucionet kompetente të publikojnë të gjitha dokumentet që lidhen me cilësinë e ujit.
Dega e BDI-së në Tetovë paralajmëron edhe hapa ligjorë në rast se konstatohet se alarmi për cilësinë e ujit ka qenë i rremë ose nuk është mbështetur në analiza zyrtare.
“Nëse rezulton se ky ka qenë alarm i rremë, pa bazë të dokumentuar nga Instituti kompetent, si subjekt politik do të paraqesim kallëzim penal kundër personave përgjegjës dhe do të kërkojmë përgjegjësi të plotë ligjore”, paralajmëron BDI Tetovë.
Në përfundim, BDI kërkon transparencë të plotë nga NPK “Sharri” dhe publikimin e analizave për secilin prej katër vendbanimeve.
“Frikësimi i qytetarëve nuk mund të përdoret si mjet për shantazh dhe inkasim të parave”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Tetovë. Gazeta Flaka
















