BDI-Tetovë kundërshton projektin administrativ-komercial: “Qytetarët japin pronën dhe paguajnë 7,7 milionë euro”
BDI në Tetovë kundërshton propozimin për ndërtimin e një kompleksi administrativ-komercial në parcelën e stacionit të zjarrfikësve, duke ngritur pikëpyetje për ndarjen e pronësisë, kompensimin e Komunës dhe përdorimin e parave publike.
Sipas BDI-së, në parcelën prej 6.768 metrash katrorë propozohet ndërtimi i një kompleksi me rreth 14.392 metra katrorë sipërfaqe bruto mbi tokë.
Duke iu referuar skenarit bazë A3, nga BDI thonë se Komuna do të kontribuonte me tokën publike, objektin ekzistues dhe një pjesë të kompensimeve komunale, ndërsa në këmbim do të përfitonte vetëm 15 për qind të ndërtesës.
“Për 45 për qind të tjera do të paguante rreth 7,77 milionë euro, ndërsa 40 për qind do të mbeteshin pronë e investitorit privat”, thuhet në reagimin e BDI-së në Tetovë.
Nga kjo parti vlerësojnë se marrëveshja ngre dyshime serioze për mënyrën se si është vlerësuar prona publike dhe nëse përqindja që do t’i takonte Komunës paraqet kompensim të drejtë për kontributin e saj.
“Pra, qytetarët japin pronën e tyre dhe paguajnë 7,7 milionë euro investitorit, ndërsa investitori, përveç pagesës, mban thuajse gjysmën e kompleksit!”, theksojnë nga BDI.
Partia ngre gjithashtu pikëpyetje për destinacionin e mjeteve financiare dhe kërkon transparencë të plotë për kushtet e marrëveshjes, vlerësimin e tokës dhe përfitimet që do të kishte Komuna nga ky projekt.
Në reagimin e saj, BDI e cilëson propozimin si një skemë që, sipas saj, ngjason me rastin e Monopolit të Tetovës, duke pretenduar se partneriteti publiko-privat mund të përdoret për të favorizuar interesat private në dëm të pasurisë publike.
“Kjo është një skemë kriminale e organizuar si ajo e Monopolit të Tetovës, vetëm se në këtë rast nuk bëhet shitje e drejtpërdrejtë, por i tërë ‘biznesi’ po tentohet të bëhet nën maskën e partneritetit publiko-privat”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti kërkojnë që propozimi të tërhiqet nga seanca e Këshillit Komunal, e paralajmëruar për 14 tetor, si dhe të organizohet debat publik me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur.
“Tetovarët meritojnë llogari të qarta për çdo metër tokë dhe çdo euro!”, përfundon reagimi i BDI-së në Tetovë. Flaka













