BDI: VLEN po tenton ta mbulojë skandalin e Burim Latifit në MEPSO
BDI dhe VLEN kanë shkëmbyer akuza të ashpra lidhur me tenderin në MEPSO për pastrimin e korridoreve nën largpërçues, ku në qendër të polemikave është emri i Burim Latifit dhe kompania “Green Maintenance” nga Gllumova e Shkupit.
Nga BDI akuzojnë se VLEN po tenton të mbulojë, siç thonë, “skandalin e Burim Latifit në MEPSO”, duke ngritur disa pyetje publike për kompaninë fituese të tenderit.
“Le të tregojnë publikisht: ku është selia e kompanisë në Gllumovë, sepse askush s’po mundet ta gjejë? Kur është themeluar? A është e vërtetë se u formua vetëm pak muaj para fitimit të tenderit nga MEPSO? Dhe si u nënshkrua kontrata në kundërshtim me nenin 110 të Ligjit për Furnizime Publike? Shkeljet a janë bërë vetëm e vetëm të fitojë tenderin aktivisti i Izet Mexhitit?”, thonë nga BDI.
Më tej, nga kjo parti pyesin: “A kështu zhvatet djersa e qytetarëve dhe shkelen ligjet vetëm që klani i tyre të pasurohet?”
Nga koalicioni VLEN i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se BDI po manipulon opinionin publik pasi, sipas tyre, në procedurë është përzgjedhur oferta më e lirë.
“BDI përsëri gënjen, manipulon dhe e nënçmon opinionin publik. Ofertën më të lirë e paraqesin si korrupsion, sepse nuk mund të pajtohen me faktin se MEPSO nuk është më kasa e tyre partiake”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, kompania fituese ka ofruar çmim prej 184.535 denarësh pa TVSH, ndërsa oferta e dytë ka qenë 651.165 denarë pa TVSH.
“Diferenca është 466.630 denarë, përkatësisht oferta e zgjedhur është rreth 72 për qind më e ulët. Çfarë saktësisht e pengon BDI-në? Që është zgjedhur oferta më e lirë? Apo që më nuk mund të vendosin ata se kush do t’i fitojë tenderët?”, deklarojnë nga VLEN.
Ata shtojnë se bëhet fjalë për kontratë kornizë dhe jo pagesë automatike.
“Vlera maksimale nuk do të thotë se do të shfrytëzohet e gjithë shuma, as se paratë janë paguar paraprakisht. Porositë realizohen sipas nevojës, veçmas dhe sipas punëve të kryera realisht”, thonë nga VLEN.
Në reagim, VLEN akuzon BDI-në se po reagon për shkak të, siç pretendojnë, “ndërprerjes së skemave të vjetra në MEPSO”.
“BDI bërtet sepse MEPSO ka filluar t’i ndërpresë skemat e vjetra. Bërtasin sepse u ndërpre kontrata në të cilën, sipas informacioneve publike, paraqitej edhe interesi i Nefit nga Ohri, i afërt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin”, deklarojnë nga VLEN.
Sipas tyre, “MEPSO nuk do të jetë më bankomat për interesa partiake dhe familjare”.
Për rastin raportoi edhe portali Portal X, i cili shkroi se “dega italiane e ‘Green Maintenance’, e vendosur në fshatin Gllumovë të Shkupit, arriti ta ‘fundosë’ konkurrencën në tenderin e MEPSO-s për pastrimin e korridoreve nën largpërçues, të lidhur në fund të tetorit 2025”. /Gazeta Flaka/
















