Bujar Osmani: Diplomacia nuk është nënshtrim politik, VLEN po përpiqet ta fshehë këtë dallim
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj kritikave të VLEN-it lidhur me takimet e tij zyrtare gjatë kohës sa ushtronte detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, duke theksuar se diplomacia nuk mund të barazohet me zgjedhje politike.
Sipas Osmanit, VLEN po i paraqet takimet zyrtare të një ministri të Jashtëm si përcaktime politike, ndërsa, siç thotë ai, po e konsideron normale bashkëqeverisjen me forca që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe Marrëveshjen e Ohrit.
“Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij”, thekson Osmani.
Ai shton se takimet diplomatike janë detyrim kushtetues për një ministër të Jashtëm, ndërsa bashkëqeverisja është zgjedhje politike, duke vlerësuar se VLEN ose nuk e kupton këtë dallim, ose po e shtiret se nuk e kupton.
Osmani gjithashtu thekson se komunikata e publikuar për takimet është e Presidencës së Serbisë dhe pasqyron qëndrimet e saj, e jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si praktikë normale në marrëdhëniet diplomatike.
“Nuk do të hezitoja të takoja çdo homolog, edhe nëse nuk pajtohem me të, sepse kjo është detyra e një ministri të Jashtëm. Por kurrë nuk do të zgjidhja të bashkëqeverisja me ata që mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë apo cenojnë të drejtat e shqiptarëve. Ky është dallimi mes diplomacisë dhe nënshtrimit politik”, deklaron Osmani.Gazeta Flaka
















