Bujar Osmani: Dita e parë si kryetar do të nisë nga shkolla “7 Marsi”
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka shpërndarë në Facebook një video para shkollës fillore “7 Marsi” – institucioni ku ai kaloi katër nga vitet më të rëndësishme të fëmijërisë së tij.
Osmani: Këtu mësova të kërkoj më shumë nga vetja
“Katër vitet më formuese të jetës i kalova në këtë shkollë, 7 Marsi, nga e katërta deri në klasën e tetë. Vitet kur mësova të kërkoj më shumë nga vetja, ku mësova të respektoj mësuesit që na mbanin gjallë kurreshtjen,” tha Osmani, duke kujtuar kohën e tij si nxënës.
Kritika për gjendjen aktuale të shkollës
Megjithatë, ai u shpreh se gjendja e sotme e shkollës lë shumë për të dëshiruar, duke evidentuar problemet që sipas tij po e pengojnë funksionimin normal:
- “Mbi 10 vite me xhiro llogari të bllokuara për shkak të borxheve.”
- “Nyjet sanitare që renovohen nga vetë prindërit pas kërcënimeve për bojkot.”
- “Mungesë bazike mjetesh mësimore, ku fëmijët detyrohen të huazojnë shkumësa nga shkolla të tjera.”
“Fëmijët nuk kanë faj, ne të rriturit ua kemi borxh,” theksoi ai.
Premtimi i Osmanit për nisjen e mandatit
Osmani premtoi se, nëse fiton zgjedhjet, do ta nisë mandatin e tij duke u marrë me këtë institucion:
“Dita e parë e mandatit tim do të nisë pikërisht nga shkolla ‘7 Marsi’. Kjo shkollë më bëri mua, tani është koha të bëj unë për të.” Flaka Media
















