Bujar Osmani kujton Prespa Forum Dialogue: Ballkani mund të prodhojë ide dhe zgjidhje
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka kujtuar se sot bëhen tre vjet nga edicioni i fundit i forumit ndërkombëtar Prespa Forum Dialogue, duke e cilësuar atë si platformën më të madhe të dialogut politik dhe strategjik që ka njohur rajoni.
“Sot shënohen tre vjet nga edicioni i fundit i Prespa Forum Dialogue – platforma më e madhe e dialogut politik dhe strategjik që ka njohur rajoni ynë”, ka shkruar Osmani.
Ai ka theksuar se për disa vite me radhë ky forum e shndërroi Maqedoninë e Veriut në një qendër të rëndësishme të takimeve ndërkombëtare.
“Prespa Forum Dialogue e shndërroi Maqedoninë e Veriut në një pikë takimi të liderëve shtetërorë, diplomatëve, akademikëve dhe mendimtarëve nga Evropa dhe bota, duke e vendosur vendin në qendër të debateve për paqen, sigurinë, integrimin evropian dhe të ardhmen e Ballkanit”, ka deklaruar ai.
Sipas Osmanit, në rrethanat aktuale gjeopolitike, nevoja për platforma të tilla është më e madhe se kurrë.
“Në një kohë sfidash të shumta gjeopolitike, rajoni ka më shumë se kurrë nevojë për platforma që ndërtojnë ura, nxisin dialogun dhe krijojnë partneritete”, është shprehur ai.
Në fund, Osmani vlerësoi se Prespa Forum Dialogue mbetet një shembull se Ballkani mund të jetë kontribuues aktiv në debatet dhe zgjidhjet për të ardhmen.
“Prespa Forum Dialogue mbetet dëshmi se Ballkani mund të jetë vend ku prodhohen ide, zgjidhje dhe vizion për të ardhmen, e jo vetëm tema për diskutim nga të tjerët”, ka theksuar Osmani. Gazeta Flaka
















