Bujar Osmani prezenton arkitektin e Çairit të së ardhmes: Michel Rojkind
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, prezantoi sot emrin që do të mbajë mbi supe vizionin urban të kësaj komune – arkitektin e njohur meksikan, Michel Rojkind.
“Çairi meriton një vizion modern, një model të ri urbanistik që bashkon historinë me të ardhmen, komunitetin me hapësirat publike. Për këtë kemi zgjedhur një nga zërat më me ndikim në arkitekturën botërore, Michel Rojkind. Ai do të sjellë përvojën e tij globale në shërbim të Çairit, për ta kthyer në një qytet më të jetueshëm, gjithëpërfshirës dhe me identitet të fortë,” deklaroi Osmani.
Arkitekti i njohur ndërkombëtarisht, Michel Rojkind, ka qenë i përzgjedhur nga revista Forbes si përfaqësues i gjeneratës më me ndikim në arkitekturën bashkëkohore, ndërsa studioja e tij “Rojkind Arquitectos” është renditur në mesin e 10 firmave më inovative në botë.
“Dizajni nuk është vetëm estetikë, por instrument transformimi urban dhe përfshirjeje të komunitetit. Në Çair duam të krijojmë hapësira që nxisin kulturën, bashkëjetesën dhe përparimin. Ky projekt nuk është vetëm arkitekturë, por vizion për jetën e përditshme të qytetarëve,” theksoi Rojkind gjatë prezantimit.
I lindur në Meksikë, Rojkind është bërë i njohur globalisht me projekte si Nestlé Chocolate Museum pranë Tolucas, Cineteca Nacional Siglo XXI në Mexico City, Mercado Roma, si dhe projekte rezidenciale të njohura si Casa PR34 dhe Casa F2. Për punën e tij ka marrë çmime të rëndësishme ndërkombëtare si “Emerging Voices” nga Architectural League of New York.
“Çairi është një komunë me histori të madhe, energji të gjallë dhe potencial të jashtëzakonshëm. Vizionin e ri do ta ndërtojmë bashkë me qytetarët, duke i kthyer hapësirat publike në vende ku komuniteti merr frymë dhe krijon së bashku,” shtoi arkitekti meksikan.
Osmani theksoi se angazhimi i Rojkind është garanci se vizioni për Çairin nuk do të mbetet vetëm ide, por do të kthehet në realitet.
“Me një emër të tillë botëror në krah, projekti ynë për Çairin nuk është vetëm premtim elektoral, por një plan i guximshëm dhe i besueshëm për transformim urban,” tha Osmani. Flaka Media
















