Çfarë thotë ligji: a mund Hungaria ta ekstradojë Gruevskin pas statusit të azilit?
Të gjitha dokumentet e nevojshme për nisjen e procedurës për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa institucionet maqedonase tashmë presin formimin e qeverisë së re në Hungari për të vazhduar me hapat e mëtejshëm, shkruan Gazeta Flaka.
Konfirmimi vjen nga Gjykata Penale, prej nga për Telmën bëhet e ditur se dokumentacioni është kompletuar pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për të dorëzuar të gjitha ndryshimet dhe informacionet që mund të ndikojnë në procedurën e ekstradimit.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, deklaroi se po pritet formimi i qeverisë së re hungareze më 9 maj, Ditën e Evropës, në mënyrë që autoritetet atje të njoftohen zyrtarisht se Maqedonia mbetet e interesuar për kthimin e Gruevskit në vend.
Ky zhvillim vjen pas deklaratës së liderit të partisë hungareze Tisza, Peter Magyar, i cili pas fitores bindëse në zgjedhjet e fundit paralajmëroi ekstradimin e ish-kryeministrit maqedonas.
Nikolla Gruevski ndodhet në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vjet burg në rastin “Tanku”. Pas arratisjes së tij spektakolare përmes disa vendeve të Ballkanit me automjete me targa hungareze dhe largimit drejt Budapestit nga aeroporti i Beogradit me aeroplan qeveritar, atij iu dha azil politik në Hungari me arsyetimin se ishte subjekt i përndjekjes politike.
Kërkesat e mëparshme të autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij janë refuzuar nga Budapesti, përfshirë edhe vendimin zyrtar të vitit 2019.
Ndërkohë, Gruevski ka reaguar ashpër ndaj nismës së re për ekstradim, duke akuzuar autoritetet maqedonase për vazhdim të, siç e quan ai, “ndjekjes politike” të nisur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Zoran Zaev.
Në reagimin e tij publik, ai i bëri thirrje ministrit Filkov që të hetojë, sipas tij, abuzimet dhe proceset e montuara gjyqësore të periudhës së kaluar, duke pretenduar se dënimet ndaj tij janë rezultat i presioneve politike mbi sistemin gjyqësor.
Nga ana tjetër, LSDM e ka interpretuar këtë zhvillim si pjesë të kalkulimeve politike të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Sipas opozitës, arrestimi eventual i Gruevskit dhe përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë janë dy lëvizje që Mickoski synon t’i përdorë për të përmirësuar imazhin e tij para Bashkimit Evropian dhe për të konsoliduar pushtetin brenda VMRO-DPMNE-së.
Çështja e ekstradimit të Gruevskit mbetet kështu një nga temat më të ndjeshme politike dhe juridike në vend, me zhvillimet e ardhshme që pritet të varen kryesisht nga orientimi i qeverisë së re hungareze. Gazeta Flaka
















