Courtois mbron Donnarumman: “Portierët dalin për topin, jo për të dëmtuar”
Pas fitores së PSG-së ndaj Bayern Munich me rezultatin 2-0 në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te golat e Doue dhe Dembele, por mbi gjithçka te momenti dramatik i dëmtimit të Jamal Musialës.
Në minutat e para të pjesës së dytë, Musiala u përpoq të arrinte një top të lirë, por u përplas me portierin Gianluigi Donnarumma, i cili i ra rëndë mbi këmbë. Pamjet ishin tronditëse dhe lojtari gjerman u largua me barrelë, ndërsa Donnarumma u pa i shokuar.
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, e quajti incidentin “aksident”, ndërsa Manuel Neuer e kritikoi ashpër portierin italian për mungesë kujdesi dhe për mosreagim të menjëhershëm ndaj gjendjes së Musialës.
Por pas ndeshjes së Real Madridit ndaj Dortmundit, ku “Los Blancos” fituan 3-2, portieri Thibaut Courtois doli në mbrojtje të kolegut të tij:
“Fajësimi i Donnarummas më duket i tepruar. Ne portierët dalim për topin, ashtu si sulmuesit. Kur ata shkojnë për topin, nuk mendojnë nëse do të na godasin në fytyrë. Ishte një moment i keq, por jo i qëllimshëm.”
Përditësimi për Musialën:
Bayern Munich konfirmoi të dielën në mëngjes se Musiala ka pësuar një frakturë në fibulë dhe do të mungojë për 4–5 muaj. Lajmi ka tronditur kampin bavarez, ndërsa reagimet për ndërhyrjen e Donnarummas vijojnë të jenë të ndara.
Flaka
















