Dorëheqja e Fetait ndez përplasjet politike: Aleanca dhe Lidhja Shqiptare me akuza të ashpra
Dorëheqja e Arben Fetait nga posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë ka nxitur reagime të forta politike, me akuza dhe kundërakuza nga ish-bashkëpartiakë dhe subjekte politike shqiptare, të cilat e kanë cilësuar largimin e tij si akt tradhtie politike dhe dëshmi të krizës brenda kampit shqiptar në pushtet.
Aleanca për Shqiptarët reagoi përmes një komunikate të gjatë, duke vënë në pikëpyetje statusin aktual institucional të Fetait dhe duke kritikuar mënyrën e largimit të tij nga funksioni.
“Një pyetje e thjeshtë, por shumë e rëndësishme qëndron sot mbi tryezën e politikës: Arben Fetai është apo nuk është ende zëvendëskryeministër?”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia e udhëhequr nga Arben Taravari vlerëson se Fetai kishte marrë mbështetje politike dhe institucionale nga kjo forcë, por sipas tyre, largimi i tij përfaqëson braktisje të përgjegjësive politike dhe të njerëzve që e mbështetën.
“Largimi i tij nuk është thjesht braktisje e një posti politik. Është braktisje e njerëzve”, thekson reagimi.
Akuza të ashpra adresoi edhe Lidhja Shqiptare e drejtuar nga Zijadin Sela, e cila e lidhi zhvillimin e fundit me krizën më të gjerë brenda koalicionit VLEN dhe qeverisjes.
“Turpi turpin e njeh. Si hynë, ashtu edhe dolën, me tradhti e servilizëm”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Nga kjo parti, kritikat nuk u ndalën vetëm te Fetai, por u zgjeruan edhe ndaj Arben Taravarit dhe drejtuesve të tjerë politikë shqiptarë, të cilët akuzohen për përçarje dhe degradim të përfaqësimit politik shqiptar.
Reagimet vijnë pasi Fetai gjatë ditës së hënë njoftoi publikisht dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, duke thënë se vendimi ishte i mirëmenduar dhe i marrë në rrethanat aktuale.
“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë”, deklaroi Fetai.
Ai theksoi se largohet “me kokën lart dhe ndërgjegje të pastër”, duke shtuar se angazhimi për interesin publik do të vazhdojë edhe jashtë funksionit qeveritar.
Dorëheqja e Fetait dhe reagimet që pasuan pritet të intensifikojnë debatet politike brenda spektrit politik shqiptar dhe në raportet mes partnerëve aktualë dhe të dikurshëm politikë. Gazeta Flaka
















