Dorëhiqu Qoku, se e le namin!
Shkruan: Nafie Selmani
Kandidatja për anëtare të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi paska dhënë dorëheqje, në fakt qenka tërhequr nga kandidimi. Sipas mediave, ajo nuk i ka plotësuar as kushtet formale për kandidim.
Me kaq, debati për kandidaten përfundon. Por këtu fillon debati për përgjegjësinë morale dhe politike të atyre që e shtynë, e inkurajuan dhe e promovuan këtë kandidaturë.
Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi VLEN-in, si dhe mbi Bekim Qokun, anëtar i Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje.
Si është e mundur që Qoku ka votuar një kandidate që nuk i plotëson kushtet ligjore?
A nuk i dinte kriteret, apo kriteret vlejnë vetëm për të tjerët?
Dhe pyetja më e dhimbshme: Pse e lëshuan gruan në zjarr? Pse u përdor ajo si alibi, si dekor, si mbulesë për paaftësinë dhe papërgjegjësinë politike të VLEN-it?
Në vend që të sigurojnë profesionalizëm, integritet dhe përgatitje reale, VLEN-i zgjodhi rrugën më të lehtë, ta ekspozojë një grua ndaj dështimit publik, vetëm për të mbushur një vend në një Komision.
Deri kur do t’i përdorë VLEN-i gratë si ornament politik, e jo si subjekte me dinjitet, meritë dhe kompetencë?
Deri kur gratë do të shërbejnë për fotografi dhe propagandë, ndërsa dështimet do t’u faturohen atyre?
Dorëhiqu Qoku, se e le namin! Pa vota u bëre deputet, por i turpërove të gjithë!
















