“Drejtësi apo spektakël politik?” – LSDM reagon për rastin Bogoev
Zyra e Prokurorit Publik ka kërkuar paraburgim për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, një ish-ndihmësdrejtor dhe dy persona të tjerë, të dyshuar për manipulim të tenderëve publikë. Të dyshuarit janë nxjerrë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ndërsa Prokuroria pretendon se ka siguruar prova edhe për marrje ryshfeti nga ana e Bogoevit në vlerë prej rreth 1.800 eurosh.
Sipas Prokurorisë, në periudhën korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për kontratat e prokurimit publik për mirëmbajtjen e higjienës së jashtme në pikat kufitare dhe terminalet, duke favorizuar një operator ekonomik të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën. Me këtë, sipas akuzave, i është mundësuar kompanisë përfituese të realizojë fitim të paligjshëm prej 18.479.692 denarësh.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Bogoev, në cilësinë e drejtorit, ka ndikuar në zhvillimin e procedurës së tenderit në favor të ofertuesit të zgjedhur, ndërsa ish-ndihmësdrejtori dyshohet se ka ushtruar ndikim ndaj kompanive të tjera për pjesëmarrje në procedurë.
LSDM ka reaguar ashpër pas rastit ndaj ish-drejtorit të Doganave, Stefan Bogoev, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe të sinkronizuar me vizitën e presidentit të Këshillit Europian.
Nga partia opozitare pyesin nëse bëhet fjalë për drejtësi reale apo për “rast të montuar”, duke akuzuar kryeministrin për ndikim të drejtpërdrejtë mbi sistemin gjyqësor. Sipas LSDM-së, arrestimi është përdorur për të zhvendosur vëmendjen nga kritikat e Bashkimit Europian për ngecjen e vendit në rrugën eurointegruese, ndërsa akuzojnë pushtetin për standarde të dyfishta dhe mosveprim ndaj, siç thonë, aferave të tjera korruptive.
Partia opozitare pretendon se modeli i paralajmërimeve publike për hetime dhe arrestime tregon për politizim të institucioneve dhe krahasoi qasjen e qeverisë me praktika që, sipas tyre, përdoren prej vitesh në rajon. Gazeta Flaka
















