Dy sfidat e NATO-s

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 20:22

Dy sfidat e NATO-s

Arbër Zaimi

Organizata e Traktatit Atlantiko Verior, që ne e njohim sipas akronimit anglofon NATO e më pak sipas akronimit të gjuhëve neolatine OTAN (por jo sipas akronimit shqip OTAV), po mbush 75 vjet.

Nëse konsiderohen asetet e buxhetet, kjo aleancë është larg të tjerave, më e armatosur, më e pasur, më e avancuar teknologjikisht.

Por në 10 vitet e fundit një sfidë është paraqitur për ushtritë e botës, përfshi edhe ato të NATO-s. Një revolucion teknologjik duket se po ndodh, në rrafshin e inteligjencës artificiale apo mësueshmërisë makinike. Makinat janë gjithnjë e më të afta të mbledhin, të kategorizojnë, të ndërthurin e të përpunojnë të dhëna prej njerëzimit që vëzhgohet me e pa dëshirën e vet.

Revolucionet teknologjike sa herë kanë ndodhur, kanë imponuar së pari zëvendësim dhe përditësim të teknologjisë ushtarake. Kush vonohet, humb hapin e mbase nuk e zë më. Ka patur raste në të shkuarën kur një superfuqi e kohës, nga vetëbesimi i madh, nuk i ka kushtuar rëndësi revolucionit teknologjik, e ka rënë prej vaktit.

Kostot e zëvendësimit dhe përshtatjes me teknologjinë revolucionare janë më të mëdha sa më e madhe të jetë ushtria ekzistuese. Restaurimi i një rrokaqielli dihet kushton më shumë se sa restaurimi i një shtëpie përdhese.

Por pas rënies së perdes së hekurt u krijua përshtypja se NATO kishte pak sfida reale. Rusia u duk se hyri në spirale të degradimit ekonomik e të korrupsionit, ndërsa Kina që po rritet ndjeshëm ekonomikisht vazhdimisht kujdeset të theksojë se nuk dëshiron përballje ushtarake (por ndikimin dhe apetitet i ka në rritje). Vende të vogla problematike si Serbia në Ballkan, apo ushtri primitive si ato të fondamentalistëve në Lindjen e Mesme nuk mund të merreshin seriozisht si arsyetim për buxhetin që kërkon zëvendësimi teknologjik në ushtritë e NATO-s. Kërkesat e vazhdueshme amerikane që vendet aleate të shpenzojnë buxhetin e parashikuar në traktat, binin në vesh të shurdhët. Madje edhe kërcënimi që bëri presidenti “atipik” Trump, se do ta zhbënte NATO-n nëse aleatët nuk paguanin sipas marrëveshjes, më shumë trembi vendet e vogla e kufitare me sferën ruse, se sa vendet e mëdha buxheti i të cilave çon peshë.

Çka nuk u arrit dot në paqe, erdhi si dhuratë prej luftës që nisi Rusia në Ukrainë. Ndoshta Rusia përllogariti se për pak javë do t’i arrinte disa synime, teksa Amerika fokusin kryesor e kishte pikërisht te rinovimi teknologjik, e për arsye ekonomike, vëmendjen gjeopolitike e kishte te Kina e Lindja e Mesme, ndërsa vendet europiane kishin krijuar varësi energjetike prej gazit rus. Me siguri Rusia përllogariti edhe se rrjeti korruptiv i miliarderëve e milionerëve rusë të shpërndarë në perëndim, do të ndikonte lobet e pushtetit. Por, dy vite më pas, pasuritë e oligarkëve rusë në perëndim janë sekuestruar, tubacionet e furnizimit me gaz u ndërprenë, vendet e mëdha të NATO-s kanë rritur ndjeshëm buxhetet, teksa Finlanda e Suedia, dy vende të zhvilluara e të pasura e deri dje neutrale, janë bashkangjitur në aleancë. Megjithatë rezultati i luftës nuk është rezultat futbolli që të parashikohet me logjikë bastesh. Ne urojmë të humbin agresorët dhe të kthehet sa më shpejt një paqe e drejtë.

Lufta nga ana tjetër ka mbjellë pasiguri në shumë rajone të botës. Diku edhe është shfrytëzuar momenti për të ndezur vatra të tjera konfliktesh e për të larë hesape. Shpërhapja e zjarrit është rrezik i madh.

E për NATO-n, shumë ekspertë mendojnë se, tash që duket se e ka tejkaluar sfidën financiare që kërkon rinovimi i teknologjisë, ballafaqohet me një sfidë tjetër. Polarizimin e shoqërive në vendet aleate. Thënë shkurt, dobësimi i qendrës (apo më mirë të themi i ish-qendrës) dhe forcimi kryesisht i të djathtës ekstreme, më pak edhe i të majtës.

Historikisht NATO u krijua dhe u konsolidua në kohët e konsensusit ekonomiko-social, në tre dekadat e pasluftës II,  me kejnsianizmin e Konferencës Bretton-Woods, kur vendet perëndimore investuan në rritje ekonomike dhe mirëqenie për shoqërinë, në të drejta qytetare e punëtore si dhe siguri sociale e shëndetësore. Prej viteve ‘80 e këtej, me politikën e re ekonomike që u quajt “Konsensusi i Uashingtonit” shkatërrimi i kejnsianizmit prej neoliberalëve ka sjellë desubjektivim të masave popullore, zvogëlim të shtresës së mesme e rritje të madhe të pabarazisë. Kjo forcon pakënaqësitë dhe polarizimin shoqëror. Brenda disa shteteve të NATO-s madje ka analistë që dikudiku e shohin situatën si praglufte civile. Ndërsa në marrëdhëniet ndërshtetërore mes aleatëve rriten shanset për fërkime e keqkuptime kur njëri vend priret kah e djathta ekstreme e tjetri kah e majta ekstreme. Sigurisht edhe fuqitë rivale apo armiqësore, siç është zakoni, investojnë në rritjen e polarizimit, me dezinformim e diversion, që mbase është më i lehtë të bëhet në demokraci e me teknologjitë moderne. Duhet një stof i fortë shoqëror, me qytetarë të ndërgjegjshëm e të vetëdijësuar për ta fituar këtë sfidë.

A do ta gjejnë vendet e NATO-s mënyrën për ta tejkaluar këtë sfidë të dytë. Me një Bretton-Woods të re e një plan të ri Marshall? Të shohim.

71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 20:22
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?