E tha Mickoski, e konfirmon Mexhiti: Arben Fetai do të emërohet përfaqësues special në Bruksel
Pas dorëheqjesm Arben Fetai nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë si zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa në të ardhmen pritet të marrë një rol të ri si përfaqësues special në Bruksel.
Këtë e konfirmoi më herët kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se personalisht kishte biseduar me Fetain për largimin e tij nga ekzekutivi.
“Kam biseduar personalisht me Fetain. Ai më tha se në të ardhmen nuk e sheh veten më në Qeverinë që unë e udhëheq. Kjo ndodhi para disa javësh. Ai tha se do të kthehet në Bruksel, duke pasur parasysh arsimimin dhe përvojën e tij në institucionet atje”, deklaroi Mickoski në një intervistë për Sitel TV.
Sipas kryeministrit, përvoja dhe rrjeti i kontakteve të Fetait në Bruksel duhet të shfrytëzohen në funksion të interesave të shtetit.
“Mendoj se do të ishte një mundësi e mirë që ai të jetë një lloj i dërguari special në kuadër të Parlamentit Evropian apo administratës së Brukselit”, shtoi Mickoski.
Deklaratat e kryeministrit u konfirmuan sot edhe nga bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili bëri të ditur se dorëheqja e Fetait lidhet drejtpërdrejt me pozitën e re që pritet ta marrë.
“Dha dorëheqje për t’u emëruar përfaqësues special në Bruksel, domethënë për të marrë pozitë të re”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se partnerët e koalicionit tashmë kanë dakordim parimor për rikonstruktimin e Qeverisë, por ende nuk kanë hyrë në diskutime konkrete për ndarjen e resorëve dhe detajet e ndryshimeve.
Largimi i Fetait nga Qeveria vjen në prag të ndryshimeve të paralajmëruara në përbërjen qeveritare, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë roli i tij i saktë institucional në Bruksel. Gazeta Flaka
















