E thotë Osman Kadriu: Provimi i jurisprudencës në Shqip nuk ka pengesë ligjore, por politike
Eksperti juridik Osman Kadriu vlerëson se zvarritja e kërkesës së studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ka bazë juridike, por politike. Sipas tij, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që e pamundëson realizimin e kësaj të drejte, ndërsa kërkimi i mendimit nga Komisioni i Venecias është vetëm një përpjekje për ta shtyrë procesin.
Kadriu thotë se çështja është e qartë dhe nuk kërkon interpretime shtesë nga institucionet ndërkombëtare. Ai thekson se Komisioni i Venecias nuk ka kompetenca për çështje të tilla dhe se përdorimi i këtij mekanizmi po shfrytëzohet vetëm për të mbajtur pezull zgjidhjen.
Sipas ekspertit juridik, zgjidhja mund të vijë shumë lehtë përmes ndryshimeve të vogla ligjore. Ai propozon që në Ligjin për provimin e jurisprudencës të shtohet një dispozitë e veçantë që garanton qartë të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe.
Kadriu sqaron se iniciativa duhet të nisë nga Ministria e Drejtësisë, të miratohet nga Qeveria si projektligj dhe më pas të procedohet në Parlament. Sipas tij, procedura është e thjeshtë dhe nuk kërkon debat të zgjatur institucional.
Ai rikujton se Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve tashmë garantojnë përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë. Po ashtu, ai nënvizon se pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001, edhe arsimi i lartë në gjuhën shqipe është i garantuar me ligj, duke e bërë të pakuptimtë, sipas tij, që studentët shqiptarë të arsimohen në shqip, por të mos kenë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare.
Sakaq, Kryetari i Lëvizjes ZNAM – për Maqedoninë Tonë, Maksim Dimitrievski, në një intervistë për revistën “Fokus”, theksoi se ZNAM mbetet konsekuente ndaj parimeve të sundimit të ligjit, përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, duke i dhënë mbështetje të plotë ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, dhe qasjes së tij profesionale në drejtimin e resorit.
Në intervistë, Dimitrievski theksoi se ZNAM nuk e sheh Qeverinë përmes prizmit të rivaliteteve partiake, por si një sistem koordinimi dhe përgjegjësie institucionale, ku çdo dikaster vepron në përputhje me kompetencat e tij ligjore.
“Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga ministri Igor Filkov, ka një qëndrim të qartë dhe parimor se të gjitha zgjidhjet duhet të jenë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve. Sundimi i ligjit duhet të jetë mbi kalkulimet politike apo etnike”, theksoi Dimitrievski.
Ai shtoi se çështja e provimit të jurisprudencës nuk duhet të jetë objekt i presioneve ditore politike apo improvizimeve, por se zgjidhjet duhet të jenë sistematike, juridikisht të qëndrueshme dhe në përputhje me mendimet e institucioneve relevante dhe standardet ndërkombëtare. Gazeta Flaka.
















