E turpshme? Zyrtarët e VLEN-it në Tiranë pa asnjë pritje zyrtare, pas heshtjes për ndalesat në Qafë Thanë
Bilall Kasami publikon fotografi nga Tirana, ndërsa opozita shqiptare nuk reagoi për pretendimet e zyrtarëve të VLEN-it se u ndaluan në kufirin shqiptar.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka publikuar një fotografi nga Tirana me mbishkrimin: “Me miq e bashkëpunëtorë për kafe në Tiranën e bukur. Fundjavë të mbarë, miq!”
Vizita e tij vjen vetëm pak ditë pas polemikave të krijuara nga pretendimet e disa zyrtarëve të lartë të VLEN-it se janë përballur me ndalesë në pikën kufitare të Qafë Thanës gjatë tentimit për të hyrë në Shqipëri.
Ajo që bie në sy është se, përkundër këtij zhvillimi, nuk pati asnjë reagim publik nga Partia Demokratike apo ndonjë forcë tjetër opozitare në Shqipëri lidhur me pretendimet e zyrtarëve të VLEN-it.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, deklaruan se u mbajtën për rreth një orë në pritje në Qafë Thanë dhe më pas u informuan se kishin ndalesë për hyrje në territorin shqiptar.
Nga ana tjetër, sipas burimeve jozyrtare të publikuara nga portali TS, masa lidhet me dyshimet se disa funksionarë të VLEN-it kanë qenë të përfshirë në organizimin e pjesëmarrjes në protestën e 4 korrikut në Tiranë, ndërsa pretendohet edhe ekzistenca e një “liste të zezë” me mbi 60 persona.
Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë konfirmuar zyrtarisht as ndalimin e hyrjes së këtyre zyrtarëve dhe as pretendimet për ekzistencën e një liste të tillë.
Ndërkohë, Flaka ka publikuar edhe video ekskluzive nga pika kufitare e Qafë Thanës, ku shihen zyrtarët e VLEN-it gjatë kohës së pritjes.Gazeta Flaka
















