Editorial: Osmani dhe Taravari në një vend – Korniza që s’i pëlqeu VLEN-it, peshon 204 mijë vota !
Editorial
Në një skenë politike shqiptare gjithnjë e më të përçarë dhe të stërngopur me ego dhe emra të konsumuar, një fotografi e vetme mjaftoi për të krijuar tërmet: Edi Rama, Arben Taravari dhe Bujar Osmani – në mes të Çarshisë së Shkupit.
Një takim simbolik, por me peshë reale. Dhe që për ironi, më shumë u vu në shënjestër nga vetë “sofra shqiptare” sesa nga kundërshtarët klasikë.
Kujt i pengon afrimi mes dy politikanëve shqiptarë më të votuar të momentit? Të dhënat flasin vetë:
- Bujar Osmani – 120.903 vota në zgjedhjet presidenciale.
- Arben Taravari – 83.356 vota në të njëjtën garë.
- Së bashku: 204.259 vota, ose 59% Osmani, 41% Taravari.
Kjo nuk është thjesht matematikë – është mesazh. Është frikë për strukturat e kalbura të partive që jetojnë me hallkat e pushtetit e jo me legjitimitetin e votës.
VLEN-i, që një vit më parë marshonte me Taravarin si ikonë dhe lider të padiskutueshëm, sot po bën përpjekje për ta baltosur atë.
Harrojnë shpejt: ai ishte figura që i mbajti të bashkuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Ai ishte njeriu që mori vendimin politik më të guximshëm në dekadën e fundit – të dalë nga qeveria që përbuzte shqiptarët dhe të godasë me zë të lartë një strukturë që nuk i përmbushi as minimumin e premtimeve ndaj votuesve shqiptarë.
VLEN-i është në pushtet. Dhe për një vit nuk bëri asgjë që të mbetet në kujtesën e shqiptarëve. Zero ndikim, zero përfaqësim, zero realizim. Taravari e tha siç është: “Shqiptarët nuk kishin peshë në këtë qeveri. Përbuzeshin, anashkaloheshin.”
Nga ana tjetër, Bujar Osmani është politikani shqiptar më i votuar në zgjedhjet presidenciale – dhe ky nuk është një fakt që mund të injorohet, as të relativizohet me fyerje banale. Ai ka një bazë të gjerë elektorale, një profil ndërkombëtar të formuar dhe peshë reale në opinionin publik.
Dhe tani, këta të dy – Taravari dhe Osmani – u shfaqën bashkë në një kornizë që shumëkush nuk e kishte parashikuar. Me Edi Ramën në mes. Me një shikim që linte të kuptohet: “Dikush tjetër po përgatitet për t’u ngritur.”
Frika e VLEN-it është legjitime. Jo sepse ky tandem po vjen me një logo të re – Fronti Kombëtar. Por sepse ky tandem e ka kaluar testin e votës.
Dhe sepse çdo përpjekje për t’i portretizuar si “tradhtarë”, “pazargjinj” apo “të papërgjegjshëm” bie përballë fakteve kokëforta: vota e popullit nuk mashtrohet, dhe njerëzit e dinë kush qëndroi dhe kush iku kur shqiptarët kishin më së shumti nevojë për zë.
VLEN ka një problem serioz: nuk është më në pozicionin për të sulmuar moralin e të tjerëve, sepse ka zero kapital politik të mbetur. Dhe kur frika nga konkurrenca shndërrohet në sulm ndaj figurave që vetë i promovove dje, atëherë është koha të shohësh në pasqyrë: problemi nuk është fotografia, por realiteti që ajo reflekton.
















