Emrat e rrugëve në Tetovë, Arbër Ademi: “Gjykata po destabilizon vendin – Partia NISHTO po na kthen çdo ditë prapa”
Arbër Ademi nga BDI ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke akuzuar pushtetin dhe institucionet për, siç thotë ai, kthim prapa në raport me të arriturat pas Marrëveshjes së Ohrit.
“Partia NISHTO po na kthen çdo ditë mbrapa. Çdo ditë një vendim më shumë kundër të arriturave të pasvitit 2001”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka anuluar emrat e miratuar në vitin 2007, duke rikthyer emërtimet e vjetra të disa rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
“Sot, Gjykata destabilizuese e Maqedonisë së Veriut anuloi emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, të miratuara që në vitin 2007, duke rikthyer emërtimet e vjetra. Ju pengojnë emrat si sheshi ILIRIA, DËSHMORËT E KOMBIT, DERVISH CARA, KONGRESI I MANASTIRIT etj.”, ka shtuar ai.
Ademi ka pretenduar se vendimi nuk ka bazë të qëndrueshme juridike dhe është i motivuar politikisht.
“Pa asnjë bazë të qëndrueshme juridike. Pa asnjë arsye të logjikshme. Thjesht sepse munden”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit të tij, ai ka akuzuar pushtetin për, siç u shpreh, kompromis me vlerat historike dhe identitare të shqiptarëve.
“E munden sepse kanë gjetur disa që për një kolltuk shesin gjithçka: historinë, dinjitetin dhe interesin kombëtar. Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm. Le t’i gëzojnë tash përsëri emrat si Marshali Tito, se edhe ashtu poezi i kanë kushtuar”, ka përfunduar Ademi. Gazeta Flaka












