Fatmir Limaj: “Zëri i të rinjve shqiptarë ka sjellë gjithmonë ndryshim”
Lideri i Nisma Socialdemokrate dhe ish-komandanti i njohur me nofkën “Komandant Çeliku”, Fatmir Limaj, ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar rolin historik të rinisë shqiptare në mbrojtjen e të drejtave kombëtare.
Në mesazhin e tij publik, Limaj theksoi se historia shqiptare ka dëshmuar fuqinë e lëvizjeve rinore në momentet kyçe për kombin.
“Historia ka dëshmuar se sa herë të rinjtë shqiptarë janë ngritur me guxim dhe dinjitet, zëri i tyre është kthyer në zërin e popullit dhe ka sjellë ndryshim”, deklaroi ai.
Ai përdori edhe simbolikën e shqiponjës për të theksuar rëndësinë e unitetit dhe qëndresës kombëtare.
“Shqiponja gjithmonë fluturon më lart kur bijtë dhe bijat e saj qëndrojnë bashkë, me zemër, dije dhe vendosmëri, për të mbrojtur atë që i takon kombit të tyre”, u shpreh Fatmir Limaj.
Reagimi i Limajt vjen në prag të protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, e cila ka marrë mbështetje të gjerë nga figura politike, publike dhe qytetare në trojet shqiptare. Gazeta Flaka
















