Flaka analizon: Kur bixhozi kërkon të bëhet i ligjshëm dhe moral
Në një moment kur shteti paralajmëron se do të vendosë kontroll më të rreptë mbi industrinë e bixhozit nëpërmjet draft-ligjit të ri për lojërat e fatit online, realiteti në terren vazhdon të jetë po aq kontradiktor sa dhe absurd: kompani që gjenerojnë të ardhura nga varësia, sot po sponsorizojnë kulturën. Kjo skemë e mirënjohur e “larjes së imazhit” është kthyer në një teknikë të zakonshme – dhe pikërisht për këtë, draft-ligji kërkon një vështrim më të thelluar sesa thjesht rregullimi teknik i bastoreve dixhitale.
Nëse drafti synon të mbrojë konsumatorin, të ndalojë reklamimin agresiv dhe të kufizojë qasjen e të miturve, atëherë duhet të shtrojmë pyetjen thelbësore: si do të trajtohen sponsorimet publike të industrisë së bixhozit, që operojnë nën petkun e “mbështetjes kulturore”? Si ndodh që një kompani që promovon lojëra të fatit, mund të prezantohet si “promotore e shpirtërores dhe artit”? Dhe më e rëndësishmja – a e legalizon kjo në mënyrë të heshtur një industri që po përpiqet të zgjerohet drejt brezave të rinj nëpërmjet formatave më të sofistikuara të marketingut?
Ligji propozon mekanizma për verifikimin e identitetit të lojtarëve, ndalimin e pjesëmarrjes së të miturve, kontroll fiskal dhe mbikëqyrje teknologjike. Por mungon diskutimi më i rëndësishëm: si të parandalohet normalizimi kulturor dhe institucional i bixhozit, në një klimë ku vetë shteti ka pranuar që lojërat e fatit kanë pasoja sociale, ekonomike dhe psikologjike.
Sponsorizimi i koncerteve klasike apo aktiviteteve rinore nga kompani që drejtojnë kazino online është një nga mënyrat më të rafinuara për të krijuar perceptimin se bixhozi është një aktor pozitiv në shoqëri. Nëse draft-ligji hesht mbi këtë praktikë, atëherë rrezikon të jetë vetëm një fasadë teknike që rregullon platformën, por jo ndikimin.
Ndaj, në vend që të shërbejë vetëm për të futur kazinotë online në sistem tatimor, ky draft duhet të trajtojë me serioz edhe dimensionin etik dhe kulturor të industrisë që po kërkon të shndërrohet nga problem shoqëror në partner publik. Ligji nuk mund të jetë vetëm teknologjik – duhet të jetë edhe shoqëror.
















