Gati gjysma e popullsisë në Maqedoninë e Veriut konsumon duhan, Qeveria do ta luftojë me ligj dhe barna
Propozim-ligji për mbrojtje nga përdorimi i duhanit dhe produkteve të ngjashme, i cili fillimisht ishte planifikuar të hynte në fuqi më 1 mars, ende ndodhet në procedurë qeveritare, por pritet që javën e ardhshme të procedohet drejt Kuvendit.
Zbatimi i ligjit ishte shtyrë pas reagimeve dhe vërejtjeve të ardhura nga sektori i gastronomisë dhe industria e duhanit, ndërsa tani autoritetet shëndetësore thonë se dokumenti ka kaluar pothuajse të gjitha procedurat e nevojshme.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se ligji tashmë është harmonizuar me standardet evropiane dhe synon forcimin afatgjatë të mbrojtjes së shëndetit publik.
“I ka kaluar të gjitha filtrat sipas legjislacionit dhe ka mendime pozitive nga të gjitha palët e interesuara. Nga java e ardhshme përfundojnë procedurat administrative në Qeveri që i njëjti të jetë pjesë e materialeve në Kuvend”, tha Aliu.
Me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka nisur aktivitete për forcimin e shërbimeve për ndërprerjen e duhanpirjes dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik.
Aliu njoftoi gjithashtu se lista esenciale e barnave është përditësuar dhe për herë të parë përfshin produkte ndihmëse për lënien e duhanit, përfshirë flasterët transdermalë dhe çamçakëzët me nikotinë.
“Qëllimi është të sigurohet prania e tyre në treg, të njihen nga qytetarët dhe kompanitë farmaceutike, si dhe mjekët amë t’i përshkruajnë ato”, theksoi ministri.
Sipas tij, institucionet do të vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për zgjerimin e këshillimoreve për ndërprerjen e duhanpirjes dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve, me fokus të veçantë te të rinjtë.
“Me gati gjysmën e popullsisë së rritur që konsumon duhan, Maqedonia e Veriut vazhdon të renditet ndër vendet me normat më të larta të duhanpirjes në Evropë.” Rreth 45–48% e popullsisë së rritur konsiderohen përdorues aktualë të duhanit sipas studimeve dhe analizave të viteve të fundit, çka e vendos vendin në grupin me prevalencën më të lartë të duhanpirjes në rajon.
Vlerësohet se ka rreth 470 mijë deri 590 mijë duhanpirës aktivë, varësisht nga metodologjia dhe viti i matjes. Konsumimi është më i lartë te burrat: rreth 57.9% e burrave janë duhanpirës, krahasuar me rreth 39% të grave.
Shumë duhanpirës e fillojnë herët: rreth 70% e duhanpirësve kanë nisur para moshës 21-vjeçare. Një pjesë e konsiderueshme konsumon shumë cigare: rreth 44% e duhanpirësve konsumojnë mbi 20 cigare në ditë. Duhani lidhet me rreth 3,617 vdekje në vit në vend dhe përbën një barrë të madhe shëndetësore dhe ekonomike. Gazeta Flaka
















