Gazetari i TV Globi denoncon sulm verbal gjatë raportimit – rasti paraqitet në polici
Televizioni Globi ka reaguar pas një incidenti që, sipas redaksisë, ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në qendër të Gostivarit, ku gazetari Blerim Mustafi është përballur me një sulm verbal gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, teksa gazetari po raportonte për aksionin humanitar të shpërndarjes së ujit të pijshëm. TV Globi thotë se, bazuar në denoncimin e gazetarit dhe materialet që posedon redaksia, në incident është përfshirë Abdylsamet Lushi, i punësuar në Teatrin e Gostivarit.
Nga televizioni theksojnë se incidenti lidhet me një publikim të mëhershëm të medias, ku ishte ngritur çështja e mospërdorimit të gjuhës shqipe në materialet promovuese të teatrit.
Rasti është denoncuar në Stacionin Policor në Gostivar dhe është njoftuar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Sipas TV Globi, redaksia disponon video të incidentit, e cila u është dorëzuar autoriteteve kompetente si provë.
Në reagimin e saj, TV Globi kërkon që institucionet të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme nëse konstatohen shkelje të ligjit.
Televizioni dënoi çdo formë presioni, kërcënimi apo sulmi ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit, duke theksuar se siguria e gazetarëve dhe liria e medias janë elemente themelore të një shoqërie demokratike.
Flaka solidarizohet me kolegun Blerim Mustafi dhe dënon çdo formë presioni apo sulmi ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Redaksia kërkon nga institucionet kompetente zbardhjen e plotë të rastit dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme, nëse konstatohen shkelje të ligjit. Siguria e gazetarëve dhe liria e medias janë parakushte të domosdoshme për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit. Gazeta Flaka












