Goditje për Brazilin: Raphinha mungon ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës
Brazili ka marrë një goditje të rëndë para ndeshjes së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Norvegjisë. Sipas raportimit të Diario Sport, Raphinha nuk është rikuperuar në kohë nga dëmtimi muskulor dhe është përjashtuar nga kjo përballje.
Sulmuesi i Barcelonës vazhdon procesin e rikuperimit dhe ende nuk ka zhvilluar stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës. Për këtë arsye, stafi mjekësor dhe teknik i Brazilit kanë vendosur të mos e rrezikojnë lojtarin, me qëllim shmangien e një dëmtimi edhe më serioz.
Sipas të njëjtit burim, rikthimi i Raphinhas do të varet nga ecuria e Brazilit në turne. Nëse “Seleçao” arrin të eliminojë Norvegjinë dhe të sigurojë një vend në çerekfinale, atëherë 29-vjeçari mund të jetë i gatshëm për sfidën e radhës, ku Brazili do të përballej me fituesin e çiftit Meksikë – Angli.
Mungesa e Raphinhas është një humbje e ndjeshme për Brazilin, pasi ai konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin ofensiv. Tashmë trajneri do të duhet të gjejë alternativa për të zëvendësuar yllin e Barcelonës në një nga ndeshjet më të rëndësishme të turneut.
Flaka
















