Halil Snopçe: Shëndeti i qytetarëve nuk duhet të shndërrohet në mjet për përfitime politike
Deputeti Halil Snopçe ka reaguar për situatën e krijuar në Gostivar, ku ditët e fundit një numër i madh qytetarësh kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave gastrointestinale.
Në reagimin e tij, Snopçe thekson se si qytetar i Gostivarit dhe si deputet, shqetësimi i tij kryesor është shëndeti i bashkëqytetarëve, duke nënvizuar se ende nuk ka një konstatim zyrtar nga institucionet kompetente për shkakun e kësaj situate.
Ai rikujton se analizat e ujit dhe mostrave të tjera janë ende në proces dhe se përgjigjen përfundimtare duhet ta japin ekspertët dhe institucionet përgjegjëse.
Snopçe shpreh shqetësim edhe për, siç thotë ai, përpjekjet e disa subjekteve për ta shfrytëzuar situatën për promovim politik.
“Shëndeti i qytetarëve nuk duhet të shndërrohet në mjet për përfitime politike dhe askush nuk duhet të ndërtojë kapital politik mbi shqetësimin dhe frikën e njerëzve”, thekson deputeti.
Ai u bën thirrje institucioneve të sigurojnë transparencë të plotë dhe të publikojnë sa më shpejt rezultatet zyrtare, duke vlerësuar se Gostivarit i nevojiten qetësia, përgjegjësia dhe e vërteta e plotë. Në fund, Snopçe u uron shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve të prekur dhe apelon që publiku të informohet vetëm nga burimet zyrtare. Gazeta Flaka












