Ironia e Alsat-M: Njollos bizneset shqiptare, në kohën kur Qeveria aktuale i përjashton sistematikisht
Sot, Alsat njoftoi se ka siguruar ekskluzivisht marrëveshjen që ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka nënshkruar me kompaninë “Eurovia” për shërbime gjatë Samitit të OSBE-së në Shkup, transmeton Flaka Media.
Ky lajm, i publikuar si ekskluziv nga një medium i afërt me qeverinë aktuale VMRO–VLEN, ngre pikëpyetje për faktin se në fokus vendoset një kompani shqiptare nga Tetova, e cila ka fituar fonde qeveritare për punë të realizuara nga pushteti i kaluar. Ndërkohë, kabineti i Hristijan Mickoskit është kritikuar se po margjinalizon sistematikisht bizneset shqiptare nga projektet dhe subvencionet shtetërore.
Për diskriminimin e bizneseve shqiptare nga kjo qeveri, kohë më parë ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili ka folur për diskriminim të qëllimshëm ndaj shqiptarëve në ekonomi dhe punësime.
“Investime ka në Maqedoni, por në Maqedoninë Perëndimore – asgjë! Nga kredia prej 250 milionë euro nga Hungaria, e ndarë për ndihmë për kompanitë private, kanë përfituar 200 kompani. Sa prej tyre janë në pronësi shqiptare? Asnjë. Zero,” deklaroi Taravari me tone të ashpra.
Ai shtoi se përjashtimi i shqiptarëve nga ekonomia është një nga arsyet kryesore pse ASH vendosi të largohet nga qeveria:
“Shqiptarët janë sistematikisht të anashkaluar nga investimet dhe punësimet shtetërore, ndërsa premtimet e koalicionit qeverisës kanë dështuar plotësisht.”
Ky kontrast tregon qartë dallimin mes dy periudhave: në qeverinë e kaluar, bizneset shqiptare kishin qasje në buxhetin e shtetit, ndërsa me qeverinë aktuale të VMRO-DPMNE-së, kompanitë shqiptare po përjashtohen me qëllim nga skemat e mbështetjes.
Në këtë rrethanë, pretendimi i një televizioni shqipfolës se ka zbuluar një marrëveshje të ish-ministrit Osmani me një kompani shqiptare – e cila ka qenë publike që nga fazat e tenderimit, tingëllon jo vetëm absurd, por edhe ironik, kur dihet se bizneset shqiptare sot po përballen me margjinalizim total nga qeveria në Shkup.
Qasja e Alsat-M përputhet me narrativën e VMRO-DPMNE-së, e cila akuzonte BDI-në se kishte partizuar shtetin, duke u referuar pikërisht te fakti që kompani me drejtues shqiptarë u bënë liderë në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht: fondet janë të rezervuara vetëm për kompanitë maqedonase. Ky realitet nuk shihet si problem nga redaksia e televizionit, e cila, përkundrazi, tenton të njollosë kompanitë shqiptare që në periudhën e kaluar kishin kushte të barabarta për të konkurruar në tenderët shtetërorë. Flaka Media
















