Itali: 60-vjeçari nga Maqedonia e Veriut dyshohet se vrau bashkëshorten, më pas tentoi vetëvrasjen
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Piacenza të Italisë, ku një 60-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën ku jetonin së bashku.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i dyshuari, Hako Vitanov, ka telefonuar vetë në numrin emergjent 112 menjëherë pas ngjarjes, duke deklaruar para operatorëve: “Ejani, kam vrarë gruan time”.
Pas telefonatës, ai është larguar nga apartamenti, ndërsa policia dhe karabinierët, pasi mbërritën në vendngjarje, gjetën trupin e pajetë të 56-vjeçares Milena Vitanova në sallonin e banesës, në katin e gjashtë të një pallati në periferi të Piacenzas. Pranë trupit u gjet edhe një thikë, që dyshohet të jetë arma e përdorur në krim.
Sipas hetimeve të para, viktima kishte plagë në duar, çka lë të kuptohet se ajo është përpjekur të mbrohet gjatë sulmit.
Pas rreth dy orësh kërkime intensive, autoritetet arritën ta lokalizojnë të dyshuarin pranë varrezave monumentale të Piacenzas, afër varrit të djalit të tij të ndjerë. Raportohet se ai kishte tentuar t’i japë fund jetës duke prerë damarët, por ndërhyrja e shpejtë e policisë e pengoi këtë akt.
Çifti kishte katër fëmijë, ndërsa dy prej tyre ishin larguar te një i afërm pak para tragjedisë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar banesën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Gazeta Flaka
















