Ja çfarë i rrezikon më së shumti fëmijët në Maqedoninë e Veriut, sipas UNICEF-it
Shumica e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut janë të ekspozuar ndaj disa kërcënimeve klimatike në të njëjtën kohë, duke përfshirë valët e të nxehtit, thatësirat dhe ndotjen e ajrit. Kjo thuhet në raportin global të vitit 2026 të UNICEF-it për rreziqet klimatike që prekin fëmijët.
Sipas të dhënave të raportit, 87 për qind e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit, 73 për qind ndaj thatësirave, ndërsa 99.9 për qind përballen me ndotje të dëmshme të ajrit.
Përfaqësuesja e UNICEF-it në vend, Leslie Miller, theksoi se fëmijët po rriten në një mjedis ku nxehtësia ekstreme, thatësirat dhe ndotja e ajrit janë bërë pjesë e përditshmërisë.
“Vendi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, por presionet klimatike po shtohen dhe ndikimi i tyre në shëndet, arsim dhe mirëqenie duhet të reduktohet urgjentisht”, deklaroi Miller.
Raporti vëren se ekspozimi ndaj disa rreziqeve njëkohësisht rrit mundësinë e pasojave negative në shëndetin, zhvillimin dhe procesin arsimor të fëmijëve. UNICEF paralajmëron se familjet më të cenueshme mbeten më të rrezikuarat për shkak të boshllëqeve në sistemin e mbrojtjes sociale.
Organizata bën thirrje për politika klimatike që vendosin fëmijët në qendër të veprimit, përmes uljes së ndotjes, forcimit të sistemeve të shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale, si dhe përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse.
“Duke investuar në shërbime cilësore sot, Maqedonia e Veriut do të mbrojë të drejtat e fëmijëve dhe do të ndërtojë një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë”, thuhet në mesazhin e UNICEF-it.












