Kasami: Për dy vjet realizuam reforma që pritën 25 vjet, Bilalli Zendeli: Bilanci i qeverisë është “asgjë”
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se gjatë dy viteve të qeverisjes, VLEN ka realizuar reforma dhe projekte që, sipas tij, kishin mbetur të parealizuara për një çerek shekulli, ndërsa BDI-ja vlerëson se shumica e premtimeve të dhëna para zgjedhjeve nuk janë përmbushur.
Duke folur në ngjarjen e organizuar me rastin e dyvjetorit të qeverisjes, nën moton “Transparencë dhe llogaridhënie”, Kasami tha se koalicioni ka dëshmuar se mund të qeverisë ndryshe dhe me rezultate konkrete.
“Dy vjet më parë, kur morëm përgjegjësinë për të qeverisur, e dinim mirë çfarë po trashëgonim. Nuk ishte një rotacion normal politik. Erdhëm për ta ndalur epokën e premtimeve boshe, epokën e zhgënjimit të mbuluar me mashtrim dhe epokën e lakmisë që i la shqiptarët prapa në zhvillim. Sot rishikojmë punën tonë dhe flasim me fakte, sepse faktet janë kokëforta dhe janë në anën tonë”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se gjatë këtij mandati është ligjëzuar përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është legalizuar Medreseja, është përgatitur Ligji për Lojërat e Fatit, janë ndërmarrë reforma në arsimin e lartë dhe është mundësuar zhvillimi në gjuhën shqipe i provimit të jurisprudencës dhe i dhjetëra provimeve të tjera shtetërore.
Kasami përmendi edhe projektet infrastrukturore, duke theksuar se po ndërtohen rruga Shkup–Bllacë dhe Korridori 8.
“Rrugën Shkup–Bllacë e premtuan në çdo fushatë për 24 vjet. Ne po e ndërtojmë, ashtu siç po e ndërtojmë Korridorin 8. Këto dy rrugë na lidhin me Kosovën dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për investimet në shëndetësi dhe arsim, duke përmendur ndërtimin e spitalit të ri në Tetovë, investimet në Spitalin e Kërçovës dhe kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”, ndërsa duke komentuar zhvillimet e fundit politike në Tetovë tha se “qytetarët nuk ranë pre e përpjekjeve për tensione”.
“Nuk mund të manipuloni më me shqiptarët. Shqiptarët ju kanë pa juve dhe na kanë pa neve. Dallimin sot e ke në çdo lagje të Tetovës”, deklaroi Kasami.
Në përfundim, ai u bëri thirrje funksionarëve të VLEN-it të mbeten pranë qytetarëve.
“Mandati kalon dhe funksioni kalon. Mbetet vetëm ajo që bëre për njerëzit që ta dhanë besimin… Ndryshimi që filloi para 24 muajsh nuk kthehet më prapa”, tha Kasami.
Nga ana tjetër, nënkryetarja dhe zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, deklaroi se dy vjet pas formimit të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në koalicion me VLEN dhe ZNAM, shumica e premtimeve zgjedhore nuk janë realizuar.
“Në një konferencë për media me rastin e dyvjetorit të qeverisjes, Bilalli Zendeli tha se qytetarët sot shtrojnë tri pyetje themelore: ‘Ku janë premtimet? Ku janë rezultatet? Ku është ndryshimi? Përgjigjja është e qartë dhe e shkurtë: askund’.”
Sipas saj, bilanci i qeverisë nuk është listë suksesesh, por listë premtimesh të pambajtura.
“Premtuan Kushtetutë të re. Nuk hapën as debat. Premtuan ndryshimet kushtetuese për tre muaj, për gjashtë muaj. Pas më shumë se 24 muajsh nuk ka asgjë”, deklaroi ajo.
Bilalli Zendeli tha se nuk janë realizuar as premtimet për barazinë e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë, Bankën Shqiptare, Ministrinë e Diasporës, Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, spitalet rajonale, si dhe projektet infrastrukturore.
“Premtuan autostrada, hekurudha, Port të Thatë, zona ekonomike dhe zhvillim. Asnjë projekt madhor nuk ka hyrë në realizim”, tha ajo.
Në fund, zëdhënësja e BDI-së deklaroi se, sipas partisë së saj, rezultati i dy viteve të qeverisjes është “asgjë”.
“Prandaj, emri që sot e përshkruan më mirë këtë grupim është ai që qytetarët tashmë ua kanë vënë: ‘НИШТО’. Sepse pas dy vitesh në pushtet, rezultati i tyre është pikërisht: asgjë”, deklaroi Bilalli Zendeli, duke shtuar se shqiptarët meritojnë “politikë serioze, përgjegjësi dhe rezultate, jo propagandë dhe marketing elektoral”. Gazeta Flaka
















